Qiratë mujore në kryeqytet e rrethe të tjera, sidomos në bregdet, u rritën me shpejtësi dy vitet e fundit, pasi shumë individë zgjodhën që t’i jepnin ato me qira ditore, në platformat AirBnb, ose Booking, duke ulur ofertën për shtëpitë që jepen me afat të gjatë kohor.
Rendja drejt qirave ditore u nxit nga numri i lartë i turistëve që po vijnë në vend, që kërkonin të qëndronin vetëm disa ditë dhe ishin të gatshëm të paguanin më shumë, por edhe udhëtarëve vendas në qytetet turistike.
P.sh, nëse nga qiraja mujore mund të marrësh 300-500 euro në muaj, në varësi të qytetit (Tirana apo zonat bregdetare), nëse e jep me qira ditore çmimet variojnë mesatarisht nga 30-70 euro në ditë, megjithëse është rreziku që njësinë akomoduese të mos e japësh përditë me qira. P.sh. nëse e jep vetëm 10 ditë, me 30 euro në ditë, e ardhura mujore është 300 euro, ndërsa duhen llogaritur dhe kosto të tjera si pastrimi, energjia etj. Por, nëse e jep psh 20 ditë me 50 euro nata, e ardhura mujore është 1000 euro.
Por, a ia vlen që të japësh shtëpinë me qira ditore. Të dhënat e AirDna, (struktura për të dhënat e platformës AirBnb), që “Monitor” i disponon të detajuara japin një ide lidhur me kërkesën për qira ditore, çmimin mesatar për natë, numrin e strukturave të listuara, zënien si dhe të ardhurën mesatare ditore (në varësi të zënies së apartamentit), çmimin ditor të qiradhënies, për qytetet kryesore të vendit.
Vlora, kryeson për kthimin më të lartë, apartamenti është i zënë për gjysmën e muajit, çmimi maksimal arrin deri 98 euro/natë
Vlora është qyteti që ka numrin më të lartë të njësive akomoduese të listuara, që arriti në gati 7 mijë/muaj në gusht dhe shtator. Treguesi REVPAR, i cili mat të ardhurën ditore neto (e llogaritur në bazë të çmimit ditor dhe normës së zënies së njësisë akomoduese) ishte 39 euro për gjithë vitin 2023, me një rritje prej 43% në krahasim me vitin e mëparshëm. Si rrjedhojë, e ardhura mesatare mujore për një njësi të dhënë me qira në Vlorë është 1163 euro.
Norma e zënies në 2023 ishte 46.6%, çka nënkupton se në një muaj, shtëpia është e zënë për 14 ditë.
Qiraja më e shtrenjtë është në gusht, prej gati 98 euro nata, ndërsa norma e zënies po në të njëjtin muaj arriti në 70%, çka do të thotë që e ardhura ditore neto ishte 68 euro.
Në shtator, ndonëse njësitë kanë mbajtur sërish çmime të larta, në 72 euro/nata, norma e zënies ishte shumë më e ulët, në vetëm 32%, apo vetëm për 10 ditë, çka ka bërë që e ardhura mesatare ditore neto për shtatorin të zbresë në 23 euro.
Përgjatë gjithë vitit vlonjatët kanë fituar gati 26 milionë euro nga dhënia e shtëpive me qira ditore.
Tirana, fitohet mesatarisht 700 euro në muaj, me qira ditore
Tirana është qyteti i dytë me numrin më të lartë të njësive akomoduese të listuara, me rreth 3 mijë në muaj. Treguesi REVPAR, i cili mat të ardhurën ditore neto (e llogaritur në bazë të çmimit ditor dhe normës së zënies së njësisë akomoduese) ishte 23 euro për gjithë vitin 2023, me një rritje prej vetëm 8% në krahasim me vitin e mëparshëm. Si rrjedhojë, e ardhura mesatare mujore për një njësi të dhënë me qira në kryeqytet është gati 700 euro. (gjithsesi nga kjo shumë duhen zbritur shpenzimet për pastrimin, energjinë e të tjera administrative).
Kryeqyteti kishte normën më të lartë të zënies në 2023, me 49%, që do të thotë që në një muaj, shtëpia është e zënë për gjysmën e periudhës.
Qiraja më e shtrenjtë është në korrik, prej gati 51 euro nata, ndërsa norma e zënies po në të njëjtin muaj arriti në 58%. Përgjithësisht, në çdo muaj të vitit, qiraja ditore luhatet midis 40 dhe 50 euro/ditë, por e ardhura reale është midis 20-23 euro/ditë për shkak se vetëm gjysmën e ditëve njësia është e zënë.
Përgjatë gjithë vitit, tiranasit kanë fituar gati 12 milionë euro nga dhënia e shtëpive me qira ditore.
Në Durrës dhe Golem mund ta japësh më shtrenjtë me qira ditore se në Tiranë
Ndonëse në Durrës dhe Golem mbizotërojnë strukturat akomoduese hoteliere, që tërheqin turistët e organizuar, edhe dhënia me qira ditore po gjen përdorim, duke sjellë një kthim më të lartë ditor se në Tiranë, ndonëse periudha e dhënies me qira është e kufizuar në muajt e verës. Fitimi më i lartë ditor se kryeqyteti vjen për shkak të çmimeve ditore më të shtrenjta.
A ardhura ditore nëto (REVPAR) në Durrës është 31.2 euro për vitin 2023, me një qira mesatare mujore prej rreth 930 euro. Çmimi i dhënies me qira varion nga 51 euro në shkurt në 84 euro në shtator, ndërsa norma e zënies mujore është gati 42%.
A ardhura ditore nëtr (REVPAR) në Golem është 35.6 euro për vitin 2023, me një qira mesatare mujore prej rreth 1000 euro. Çmimi i dhënies me qira varion nga 78 euro në mars në 95 euro në shtator, ndërsa norma e zënies mujore është gati 39%.
Durrsakët fituan në 2023 rreth 5.7 milionë euro nga qiraja ditore, ndërsa në Golem gati 2 milionë euro.
Në Farkë dhe Kashar me qira ditore për vilat
Farka dhe Kashari po shfrytëzohen kryesisht nga grupet e të rinjve, të cilët marrin me qira ditore vilat për ditëlindje, apo festa të ndryshme në fundjavë. Në Kashar, psh, çmimi mesatar ditor në nëntor arriti në 194 euro, ndërsa në dhjetor 165 euro.
Në Farkë, çmimi maksimal arriti në 120 euro, në muajin gusht.
Shkodra kryeson nga qytetet e vogla
Nga qytetet e tjera që janë kthyer në një destinacion të preferua turistik, kryeson Shkodra, që ka gjeneruar 2.3 milionë euro gjithsej në 2023 nga dhënia e njësive akomoduese me qira ditore. A ardhura ditore neto (REVPAR) në Shkodër ishte gati 28 euro.
Në Shëngjin, kthimi neto ditor është gati 21 euro, ndërsa më i ulëti është në Berat dhe Korçë, përkatësisht me 16.2 dhe 14.4 euro./Monitor