Në Bruksel do të zhvillohet sot takimi mes Kosovës e Serbisë, i thirrur nga ndërmjetësi i BE-së Miroslav Lajçak. Ftesa i është bërë palëve nga Lajçaku për të diskutuar mbi Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme.
Vendimet e Bankës Qendrore të Kosovës për qarkullimin e valutave do të jenë temë kyçe në Bruksel sot, në ditën kur janë ftuar për takim përfaqësues të Kosovës dhe të Serbisë.
Nga Bashkimi Evropian kanë thënë se takimet me palën kosovare dhe serbe do të mbahen në mëngjes. Është bërë e ditur se “ai do të kenë rrjedhën e takimeve në formatin e zakonshëm të dialogut”.
Zëdhënësja e BE-së për çështje të Politikes së Jashtme dhe Sigurisë, Nabila Masralli ka deklaruar se të dyja palët e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, por nuk ka saktësuar se kush do të shkojë nga Kosova në këtë takim.
“Ajo që unë mund të them është se po, do të kemi takim nesër. Takimi i nesërm është takim i dialogut i cili do të fokusohet në zgjidhjet e çështjeve të hapura lidhur me vendimin e fundit për qarkullimin e valutave nga Banka Qendrore e Kosovës. Takimi do të nisë në mëngjes dhe do të ketë rrjedhën e takimeve në formatin e zakonshëm të dialogut. Dhe po, të dyja palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre“ ka thënë ajo.
Një ditë para takimit në Bruksel lidhur me ndalimin e përdorimit të dinarit si mjet pagese në Kosovë, Banka Qendrore e Kosovës ka konfirmuar se do të marrë pjesë në takim.
BQK-ja ka thënë se kohë më parë ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS).
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) kohë më parë ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS), për të fasilituar në përzgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare në llogaritë e përfituesve (në Euro). Në këtë kuptim, edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”.
Nga Serbia është thënë se do të shkojë kryenegociatori, Petar Petkoviq.
Brukseli zyrtar ka konsideruar si të nevojshëm takimin për gjetjen e një zgjidhjeje për zbatimin e Rregullores së BQK-së, që ndalon përdorimin e dinarit për pagesa brenda shtetit, ani se Kosova ka përgatitur një plan 10-pikësh për zbatimin e Rregullores.
Që nga 1 shkurti ka hyrë në fuqi Rregullorja re e BQK-së për paratë e gatshme, ku thuhet se mjet i vetëm i pagesës në Kosovë është valuta euro.
Që nga ajo datë nuk është lejuar futja e dinarit në Kosovë. Në pikën kufitare në Jarinjë, në disa raste janë kthyer prapa furgonët e mbushur me këtë valutë të Serbisë.
Në komunat me shumicë serbe në Kosovë, dinari serb ka qarkulluar qysh prej pasluftës.
Shteti serb ua paguan serbëve të Kosovës, përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.
Ligji për Financat e Pushtetit Lokal në Kosovë lejon dërgimin e ndihmave financiare nga Serbia.
Ky vend i ka ndarë 139 milionë euro për Kosovën për vitin 2024, rreth 11 milionë më shumë sesa më 2023.
Beogradi e ka kritikuar ashpër Rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve.
Rregullorja e BQK-së është kritikuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka thënë se vendimi është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimin te komuniteti serb. Me gjithë deklarimet dhe përplasjet me zyrtarët e Bashkimin Evropian për çështjen e dinarit, Kosova do të marrë pjesë në takimin e thirrur për këtë çështje.