Edhe pse inflacioni ka pësuar rënie gjatë vitit 2023 dhe në janar të këtij viti zbriti në 3.6%, sërish rritja e çmimeve mbetet një rrezik potencial për ekonominë. Kjo për shkak të varësisë shumë të madhe nga mallrat e importit dhe ekspozimit nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.
Banka e Shqipërisë ka vlerësuar në Raportin e Politikë Monetare se presionet inflacioniste mbeten të larta. “Presionet inflacioniste nga ekonomia vendase kanë ardhur në rënie, por ato mbeten gjithsesi të larta dhe jo konsistente me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve. Këto presione pasqyrojnë si kërkesën e lartë për mallra e shërbime, ashtu edhe rritjen e shpejtë të pagave e të kostove të prodhimit. Informacioni i ri tregon një ecuri më të mirë të ekonomisë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023 dhe rritjen e saj me 3.5% në tremujorin e tretë”, theksohet në raportin e Politikës Monetare.
Sipas institucionit mbikëqyrës bankar, inflacioni mesatar i vitit 2023 zbriti në nivelin 4.8%, nga 6.7% një vit më parë. Rënia e inflacionit u diktua nga stabilizimi i çmimeve të ushqimeve dhe të naftës në tregun botëror, mbiçmimi i kursit të këmbimit dhe normalizimi i qëndrimit të politikës monetare.
“Megjithatë, rënia e inflacionit ishte relativisht e shpejtë deri në mesin e vitit 2023, në pasqyrim të stabilizimit të çmimeve të lëndëve të para në tregjet botërore, dhe vijoi e ngadaltë në muajt pasues, si pasojë e qëndrueshmërisë së presioneve të brendshme inflacioniste. Parashikimet për të ardhmen sugjerojnë një rritje të vazhduar të ekonomisë dhe kthim të inflacionit në objektiv në gjysmën e dytë të vitit 2024. Kthimi i inflacionit në objektiv pritet të mbështetet nga një reduktim i lehtë i ritmit të Shqipërisë rritjes së kërkesës agregate gjatë vitit 2024, çka do të mundësojë një balancim më të mirë të saj me ofertën dhe do të lehtësojë presionet në tregun e punës”, thekson Banka e Shqipërisë.
Sipas BSH-së, kthimi në normalitet I inflacionit do të ndihmohet nga reduktimi i mëtejshëm i inflacionit në tregun e huaj dhe nga qëndrueshmëria e pritur e kursit të këmbimit.