Shqipëria po përjeton një krizë të fortë demografike. Emigrimi i lartë, kryesisht i të rinjve dhe rritja e infertilitetit ka ulur në mënyrë dramatike numrin e lindjeve. Sipas të dhënave të fundit të Institutit të Statistikave, numri i lindjeve për tremujorin e katërt 2023 është 5.857, duke shënuar një rënie me 7,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Statistikat e detajuara tregojnë se gjatë gjithë vitit që lamë pas, kanë lindur 22,210 bebe, me një rënie vjetore 10 % ose 2478 foshnja më pak se në vitin 2022.
Kjo ishte rënia më e fortë në 30 vitet e fundit nga viti 1993, duke tejkaluar edhe projeksionet më pesimiste për ecurinë e popullsisë së vendit deri në vitin 2060 të zhvilluara nga INSTAT.
Rënia e lindjeve është bërë më agresive përgjatë dy viteve të fundit pas pandemisë, ku tkurrja është më rreth 2400 foshnja për secilin nga vitet 2022-2023.
Rënia e lindjeve po goditet nga të gjitha drejtimet. Përveç emigracionit edhe gratë në moshë riprodhimi po zgjedhin të lindin më pak fëmijë.
Të dhënat zyrtare tregojnë se nga viti 1993 në vitin 2023 numri i lindjeve ka rënë me 67%.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2022 norma e fertilitetit ra në 1.21 fëmijë për grua në moshë riprodhimi, nga 1.32 që ishte më 2021. Kjo është rënia më e fortë që nga viti 2015.
Kjo do se në 100 gra në moshë riprodhimi linden vetëm 121 fëmijë, nga 132 fëmijë që lindën më 2021. Që nga viti 2001 me 2023 norma e fertilitetit është përgjysmuar duke rënë nga një nivel 2.31 fëmijë për grua në 1,21 fëmijë.