Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e sotme kushtet dhe kriteret për mbështetjen me grante që qeveria i jep Start Up-ve dhe Lehtësuesve. Ministrja e Shtetit për Sipërmarjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj ka dhënë detaje të këtij procesi. Sipas saj, vendimi I miratuar sot nga qeveria do t’i hapë rrugën çeljes së thirrjes për vitin 2024 e cila parashikohet të hapet në datën 16 shkurt, e cila do të mbështesë Startup-et në tre faza të ndryshme të zhvillimit të tyre.
“Do të mbështesë Startup-et të cilat janë në fazën fillestare të zhvillimit me një fond prej maksimalisht prej 1.5 milion lekësh, ku mund të aplikoj cdo individ, i ri, student, nomad digital i cili nuk është e nevojshme të jetë i regjistruar në QKB, por që ka një ide që do të zhvillojë dhe do të gjej financim deri në një fazë, deri në një masë 1.5 milion lekë.
Do të kemi fazën e dytë, që quhet faza e validimit. Do të mbështeten subjekte të cilat kanë minimalisht 1 vit që operojnë, pra që kanë dorëzuar një palë pasqyra financiare dhe që kanë krijuar një prototip dhe nëpërmjet fondeve mund ta zhvillojnë prototipin, i cili duhet të jetë i tregtueshëm.
Kjo kategori biznesesh do të mbështetet deri në masën 4.5 milion lekë ndërkohë që do të jetë dhe një kategori e tretë mbështetje, ato që kategorizohen në fazën e rritjes ku prototipi është i zhvilluar, është i tregtueshëm, por ka nevojë ende për financim me qëllim që të rritet apo që ai objekt aktiviteti të mund të ndërkombëtarizohet.
Këto lloj subjektesh do të mbështeten me një masë prej 9 milion lekësh, maksimalisht 9 milion lekësh, detajet më të shumta do të jenë të disponueshme për publikun dhe për të gjithë të interesuarit në faqen e Ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit por dhe të Agjencisë së StartUp-eve në ditët në vijim. Sic thamë në datën 16 do të celet thirrja e cila do të qendroj e hapur për 30 ditë”, ka deklaruar ministrja Ibrahimaj.