Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve,Klement Zguri është marrë në mbrojtje nga Policia dhe Garda, pasi është kërcënuar nga një person në rrjetin social Facebook.
“Do të të vras ty dhe familjen tënde”, i ka shkruar Emiljan Pjetri nga Shkodra me një mesazh në rrjetin social.
I kontaktuar nga Report Tv,ai thotë se ndodhet në Athinë dhe pranon gjithçka. Madje zbulon se ka kërcënuar edhe politikanë të tjerë, nga kryeministri Edi Rama, presidentin Ilir Meta dhe Ditmir Bushatin në kohën kur ishte ministër i Jashtëm.
Nga një bisedë telefonike ai shprehet se këto kërcënime nuk i ka bërë si militant i Partisë Demokratike, por si një emigrant shqiptar që ka 10 vjet pa ardhur në vendin e tij.
I pyetur përse e ka kërcënuar Klement Zgurin, kreun e KQZ-së, ai shprehet: “Kam shumë vite që jam jashtë kam nja 10 vite që nuk vij në Shqipëri, jam në Athinë. Po shoh atje disa kriminelë si puna e Klement Zgurit, kujtojnë se mund të bëjnë çfarë të duan. Klement Zguri më shqetëson se është një këlysh i Ilir Metës. Nuk ka gardë republike që t’i mbrojnë nëse ata duan të bëjnë çfarë të duan vet. Këto kërcënime nuk i bëj si militant, i bëj për Shqipërinë, unë jam emigrant”.
Të njëjtën gjë thotë se e ka bërë edhe me kryeministrin Edi Rama në kohën kur në Shqipëri disktutohej të vinin armët kimike. Ndryshe nga Zguri të cilit i ka çuar vetëm mesazhe në Facebook, kreun e qeverisë e ka kërcënuar edhe në numrin e tij personal në telefon, pasi në Facebook Rama i ka bërë block.
“Unë të njëjtën gjë ja kam bërë edhe Edi Ramës për armët kimike, ja kam bërë me telefon madje. Me arsyen që ka dashur të sjellë armët kimike në Shqipëri, prandaj e kërcënova Ramën. I kam thënë se nëse i sjell armët kimike do të kesh pasoja ti dhe familja jote. Edi Rama më ka bërë block në Facebook sepse nuk i pëlqen e vërteta. Arsyeja është që ata janë kriminelë. Ata e kanë bërë dynjanë me ikë nga Shqipëria. Do t’ja bëj nëse…nuk e bëj për Edi Ramën, jo e kërcënoj por ja bëj atij legeni”, thotë Pjetrit për gazetaren Kodra.
Është i ndërgjegjshëm që janë akuza të rënda dhe shprehet i vendosur se nuk i ka vetëm fjalë, por se mund t’i bëjë realitet këto kërcënime.
“Akuzë e rëndë, po ja bëj vërtetë. Nuk mund të tallet njeri me popullin”, thekson ai.
‘Inatin’ e ka pasur edhe me Ilir Metën, të cilin thotë se gjithashtu e ka kërcënuar. Nuk tregon arsyen, por thotë se kërënimi nuk ka ndodhur së fundi gjatë periudhës së zgjedhjeve që kaloi Shqipëria, pasi presidenti i ka bërë block në numrin e tij të telefonit.
“Edhe Ilir Metës ja kam bërë këtë punë unë. Jo tani për zgjedhjet se nuk ja kam numrin e telefonit se më ka bllokuar”, tregon shkodrani.
Gazetarja e vë në dijeni se Policia e Shtetit e ka shpallur në kërkim. Por Pjetri thotë se nuk ndihet i frikësuar. Madje të frikësuar sipas tij duhet të ndihen politikanët dhe personat që ai ka kërcënuar, në momentin që e arrestojnë, dënohet dhe del nga burgu.
“Policia më ka shpallur në kërkim mua? Policia shpall në kërkim kot. Unë mund të arrestohem por ata nuk e dinë se çfarë do bëj kur të dal nga burgu. Ata mund të kenë frikë kur të dal unë prej burgut pastaj”, rrëfen ai.
Në mbyllje të telefonatës, Emiljan Pjetri dëshmon se kërcënimi është një ‘hobi i tij’. Ka kërcënuar edhe Ditmir Bushatin në kohën kur ishte ministër i Jashtëm. Thotë se ka bërë diçka në dëm të shqiptarëve, por pa treguar çfarë.
“Edhe Ditmir Bushatit kur ishte ministër i Jashtëm, që bëri diçka jo të mirë për popullin, nuk po e jap arsyen”, përfundon ai.