Blegtorët shqiptarë kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër uljes së çmimit të qumështit që grumbullohet nga baxhot dhe fabrikat e përpunimit dhe kundër asaj që ata e quajnë monopoli I fabrikave. Ata kanë bllokuar sot rrugën Kardhiq-Sarandë dhe kanë kundërshtuar uljen drastike të çmimeve të qumështit nga fabrikat përpunuese, nga 180 lekë të reja për liter në vitin 2023, në vetëm 120 lekë të reja për liter sot. “Kjo ulje çmimi ka sjellë një krizë të thellë financiare për blegtoret, duke i detyruar disa prej tyre të mbyllin bizneset e tyre ose të therin tufat e deleve”, shprehen organizatorët e protestës.
Protestat janë parashikuar të vijojnë dhe blegtorët nuk tërhiqen nga kërkesa e tyre për një rishikim të çmimeve të qumështit dhe shpërbërjen e asaj që ata e perceptojnë si një monopol të fabrikave përpunuese. sipas tyre, këto fabrika kanë ushtruar një ndikim të padrejtë mbi treg dhe kanë trajtuar blegtoret si skllevër të vitit 2023, duke i lënë ata pa një mjet të drejtë jetese. Protestuesit kërkojnë një çmim më të drejtë për qumështin që mundëson mbijetesën e tyre dhe e mbron industrinë vendase.
“Nëse nuk ka një zgjidhje të shpejtë dhe të kënaqshme nga fabrikat ose instancat shtetërore, blegtoret kanë paralajmëruar për intensifikimin e protestave, përfshirë bllokimin e rrugëve dhe refuzimin demonstrativ të dorëzimit të qumështit. Ata gjithashtu duan të ndërgjegjësojnë opinionin publik për rëndësinë e mbështetjes së produktit vendas dhe pasojat e importeve si qumështi pluhur dhe vaji i palmës”, shprehen organizatorët e protestës.
Ata shtojnë s ekjo protestë ngre pyetje të thella mbi politikat e çmimeve në sektorin e bujqësisë dhe mbi mënyrën se si trajtohen prodhuesit e vendor në një treg në zhvillim si ai shqiptar. Ajo gjithashtu thekson nevojën për një balancë më të drejtë midis të drejtave të blegtoreve dhe nevojave të fabrikave përpunuese.