Qeveria ka ecur mirë me të ardhurat, por ka çaluar tek shpenzimet. Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se për periudhën 11 mujore, të ardhurat totale, për 11-mujorin e vitit 2023, u realizuan në masën 586.38 miliardë Lekë ose 99.4% të planit të së njëjtës periudhë. Krahasuar me një vit më parë të ardhurat janë rritur me +63.48 miliardë lekë ose +12.1% më shumë.
Nga ana tjetër, shpenzimet nuk janë realizuar sipas parashikimeve. Të dhënat tregojnë se shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 11 mujore të vitit 2023, arritën në rreth 548.6 miliardë lekë me një realizim në masën 95.8 për qind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 ky zë ka rezultuar 6.8 për qind më i lartë ose rreth 34.9 miliardë lekë më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për periudhën 11 mujore të vitit 2023 u realizuan në masën 78.6 përqind të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 77.7% te planit vjetor sipas Aktit Normativ nr. 5 datë 18.10.2023 (AN nr. 5).
Shpenzimet korente dhe ato kapitale, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 97.4 për qind dhe 87.8 për qind të planit të periudhës.
ECURIA E SHPENZIMEVE BUXHETORE
Mosrealizimi i shpenzimeve buxhetore dhe kryesisht investimeve nxjerr në pah dy probleme: e para, mungesën e planifikimit të kujdesshëm dhe realist të tyre në fillim të vitit, një problem që ka rënduar financat publike thuajse gjithmonë. Ndërsa problemi i dytë është ky mosrealizim është një ndër arsyet e suficitit buxhetor të krijuar në arkën e shtetit.
Thënë ndryshe, rritjes së të ardhurave. Kjo e kombinuar me rritjen e çmimeve, që gjithashtu është shoqëruar me rritje të nivelit të të ardhurave, bën që performanca pozitive t’iu atribuohet këtyre faktorëve më shumë sesa punës së administratës.