Objektet e konfiskuara për shkelje të lejeve të ndërtimit do të mund të përfundohen nga shteti dhe më pas t’u dorëzohen qytetarëve që kanë lidhur kontrata porosie, sipërmarrjeje apo premtim-shitjeje me ndërtuesit dhe zhvilluesit.
Ky është një nga ndryshimet kryesore që parashikon projektligji për administrimin e ndërtimeve të konfiskuara, i cili synon të zgjidhë edhe situatën e blerësve që kanë paguar për prona në objekte të papërfunduara.
Kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja, gjatë diskutimeve në Komisionin parlamentar për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, shpjegoi se ndryshimet në ligjin nr. 66/2023 synojnë jo vetëm konfiskimin e objekteve të ndërtuara në shkelje të lejes, por edhe përfundimin e tyre dhe dorëzimin te personat që kanë të drejta kontraktore mbi këto pasuri.
Sipas saj, legjislacioni aktual parashikon konfiskimin e objektit, por nuk përcakton detyrimin për përfundimin e punimeve. Pikërisht kjo mangësi synohet të korrigjohet përmes ndryshimeve të propozuara.
“Ajo që merr përsipër draftligji që ne propozojmë është të përfundojmë të gjitha objektet që janë lënë të papërfunduara nga ndërtuesit dhe t’ua japim pasuritë e përfunduara subjekteve që kanë pasur kontrata sipërmarrjeje, premtim-shitjeje”, deklaroi Xhaja.
Ajo theksoi se ky është një nga ndryshimet thelbësore në raport me kuadrin ligjor ekzistues.
“Ligji aktual 66 nuk e parashikon këtë normativë, pra nuk parashikon që objekti duhet të përfundohet, por parashikohet thjesht konfiskimi i tij, ndërkohë që me ndryshimet ligjore ne kemi parashikuar edhe përfundimin e objektit total dhe dorëzimin tek personat që i kanë blerë”, shpjegoi kryeadministratorja e AAPSK-së.
Në këtë mënyrë, shteti synon të marrë përsipër përfundimin e ndërtimeve të konfiskuara, duke krijuar mundësinë që qytetarët që kanë investuar kursimet e tyre për blerjen e apartamenteve të marrin pronat për të cilat kanë lidhur kontrata.
Megjithatë, zbatimi i kësaj skeme do të varet nga verifikimi i kontratave, gjendja fizike e objekteve dhe procedurat e parashikuara në ligj.








