Akademik Anastas Angjeli
President i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë
Samiti i OKB-së për ndryshimet klimaterike për vitin 2023, ose COP28, është Konferenca e 28-të e organizuar nga OKB, dhe këtë vit po mbahet në Dubai, nga 30 nëntori deri në 12 dhjetor.
“Rreth 200 vende pjesëmarrëse ranë dakord për krijimin e një fondi për “humbjet dhe dëmet”, siç kërkohet prej vitesh nga vendet më të varfra dhe më të cënueshme në botë, në mënyrë që të ndihmohen financiarisht, të përballen me efektet e katastrofave klimatike, që shkaktohen nga furnizuesi kryesor, që janë lëndët djegëse fosile (qymyri, nafta, gazi natyror).”
Në fokus të Samitit të këtij viti janë qëndrimet dhe masat për t’u marrë në lidhje me ndryshimet klimatike, ndikimet e tyre, si edhe për të siguruar një tranzicion paqësor, drejt shoqërive të qëndrueshme dhe rezistente ndaj klimës. Samiti i sivjetshëm po zhvillohet në një kontekst ndërkombëtar të ndikuar nga dy konflikte shumë serioze sic është lufta ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës si edhe konflikti palestinezo-izraelit.
Pavarësisht takimeve, kortezisë, buzëqeshjeve, dhe fotografive të përbashkëta që samite të tilla shfaqin për publikun, jo vetem pasojat e ndryshimeve klimatike, por edhe dinamikat ndërkombëtare dhe i gjithë konteksti ndërkombëtar është thelbësor në lidhje me rezultatet e këtyre platformave shumëpalëshe. Në vitin 2015, liderët që nënshkruan marrëveshjen globale të klimës u zotuan të mos lejojnë që temperatura të rritet mbi +1,5 gradë, sepse, siç deshmojne te gjitha kerkimet shkencore – ky është pragu i sigurisë klimatike për njerëzimin në planet.
Pavarësisht se angazhimet e liderëve ishin optimiste, duket se praktikisht është bërë shumë pak. Vlerësimet shkencore flasin për një të ardhme të zymtë klimatike me një rritje të temperaturës prej 3°C. Emetimet e CO2 kanë rënë me vetëm 11% në mbarë botën, në një kohë kur deri në vitin 2030 ato duhet të reduktohen me të paktën 50%. Që kjo të mos ndodhë, depërtimi i formave të pastra të energjisë duhet të trefishohet dhe lëndët djegëse fosile të ndalohen përgjithmonë.
Çështja kryesore në samitin e klimës të vitit të kaluar ishte vendimi për tërheqjen e përhershme të lëndëve djegëse fosile të cilat shkaktojnë ngrohjen globale Në teori, të gjithë palët janë dakord. Vendimi përfundimtar megjithatë u la për Samitin e sivjetshëm në Dubai, por në prapaskenë “interesat e mëdha energjetike po lëvizin” për të dhënë shtyrje të të reja, mes tyre edhe vendi që po organizon Samitin, Emiratet e Bashkuara Arabe. Samiti i sivjetshëm u hap me një minutë heshtje “për të gjithë civilët që humbën jetën gjatë konfliktit aktual në Gaza” si për të mos harruar kontekstin ndërkombëtar të përmendur në fillim të këtij shkrimi.
Pothuajse në prag të fillimit të punimeve të Samitit (që teorikisht përfundon më 12 dhjetor, megjithëse zakonisht shtyhet në momentet e fundit për shkak të vendimeve kritike që mund të merren) u shpall një arritje e madhe për një çështje të mprehtë që ishte lënë pezull që nga COP27 në Sharm el-Sheikh, Egjipt të vitit të kaluar.
Rreth 200 vende pjesëmarrëse ranë dakord për krijimin e një fondi për “humbjet dhe dëmet”, siç kërkohet prej vitesh nga vendet më të varfra dhe më të cenueshme në botë, në mënyrë që të ndihmohen financiarisht të përballen me efektet e katastrofave klimatike, që shkaktohen nga furnizuesi kryesor që janë lëndët djegëse fosile (qymyri, nafta, gazi natyror).
Miratimi thuajse i menjëhershëm i fondit në ditën e parë të Konferencës është një përpjekje në planin e komunikimit për të hequr disi vëmendjen nga fakti se ky Samit po mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe – një nga vendet kryesore prodhuese të naftës në botë. “Përparimi që kemi bërë me krijimin e këtij fondi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për drejtësinë klimatike, por një fond bosh nuk mund t’i ndihmojë popujt tanë,” paralajmëroi Madeleine Diouf Char presidente e Grupit të 46 vendeve më pak të zhvilluara duke ju drejtuar në këtë mënyrë vendeve industriale të zhvilluara -ndotësve më të mëdhenj në botë – vende të cilat këmbëngulën që kontributet në fondin e ri duhet të bëhen mbi baza vullnetare.
Kontributet fillestare ishin jo shumë premtuese. Pra, në fazën e parë, BE- zotohet të japë 246 milionë dollarë, Emiratet e Bashkuara Arabe 100 milionë dollarë, Britania 40 milionë dollarë, Japonia 10 milionë dhe SHBA- 17.5 milionë.
Megjithatë, në pritje të kontributeve të tjera gjatë Konferencës, vendet në zhvillim pranuan një tjetër parametër të marrëveshjes së djeshme: të paktën për katër vitet e para, fondi do të qëndrojë nën kujdesin e Bankës Botërore. Ndoshta çështja më urgjente në axhendën COP28, megjithatë, është nëse do të ketë një kompromis të detyrueshëm për një ndalim ose vetëm për një reduktim gradual të përdorimit të lëndëve djegëse fosile.
“Megjithatë, në pritje të kontributeve të tjera gjatë Konferencës, vendet në zhvillim pranuan një tjetër parametër të marrëveshjes së djeshme: të paktën për katër vitet e para, fondi do të qëndrojë nën kujdesin e Bankës Botërore. Ndoshta çështja më urgjente në axhendën COP28, është një kompromis për një reduktim gradual të përdorimit të lëndëve djegëse fosile.”
COP28 DHE PRITSHMËRITË NË LIDHJE ME EKONOMINË
Ky Samit, i mbajtur në sfondin e sfidave të paprecedentë mjedisore, zhvillohet në një moment kyç për të gjitha vendet dhe është një mundësi e mirë për t’u gjetur mënyra për t’u përballur kolektivisht me çështjet e ndërthurura të ekonomisë së gjelbër, ekonomisë blu, ekonomisë cirkulare dhe kërcënimit të përgjithshëm të ndryshimit të klimës, të cilat janë vënë në qendër të vemendjes për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm.
Udhëheqësit nga e gjithë bota do të kenë mundësinë për të diskutuar mbi politikat dhe strategjitë, që mund të riformësojnë peizazhin ekonomik global duke adresuar nevojën urgjente për qëndrueshmëri mjedisore. Qëllimi final, ashtu sic paraqitet në thuajse të gjitha deklaratat përfundimtare të Samitit është një e ardhme e qëndrueshme për të gjithë globin, dhe në këtë të ardhme marrëdhënia simbiotike midis ekonomisë së gjelbër, ekonomisë blu, ekonomisë cirkulare dhe sfidës gjithëpërfshirëse të ndryshimit të klimës janë (dhe duhet të jenë) një trinom i rëndësishëm zhvillimi.
Ndërsa të gjitha vendet përballen me nevojën urgjente për politika të përgjegjshme dhe të mirë projektuara, lidhja midis këtyre paradigmave ekonomike dhe kujdesit ndaj mjedisit dhe shëndetit shndërrohen në domosdoshmëri politike si në nivel qeveritar ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Në funksion të këtij qëllimi, njëqind e njëzet e tre vende kanë miratuar edhe Deklaratën COP28 për Klimën dhe Shëndetin, e cila synon të rrisë bashkëpunimin ndërsektorial, të reduktojë emetimet në sektorin e shëndetësisë dhe të rrisë financimin për shëndetin e klimës. Këtë e ka bërë të ditur presidenti i COP 28 Sulltan Al Jaber.
Për herë të parë në historinë e samitit Cop28 vë në qendër të vëmendjes shëndetin. Rreth njëzet vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Francën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kërkuan në një deklaratë të përbashkët, të trefishojnë kapacitetet e energjisë bërthamore në botë deri në vitin 2050, krahasuar me vitin 2020, për të reduktuar varësinë nga qymyri dhe gazi.
Njoftimi u bë nga John Kerry, i dërguari i SHBA-së për klimën, së bashku me disa liderë duke përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin belg Alexandër de Croo.
– Në këtë kuadër, ishin edhe mesazhet e përcjella në këtë Samit nga Kryeministri Edi Rama në fjalën e Tij, që kryesoi delegacionin Shqiptar në ketë ngjarrje të rëndësishme të ndryshimeve klimatike ku së pari theksoi se: “Të gjithë e dimë se për dekada vende në zhvillim si i joni, janë përpjekur në mënyrë të palodhur për të trajtuar sfida të zhvillimit ndërkohë që janë përballur me efektet negative të ndryshimit të klimës.
Dhe po, marrëveshja e Parisit ishte një rreze shprese, një premtim i bërë nga bota për të ruajtur planetin tonë dhe banorët e tij, e megjithatë realiteti është larg zotimeve të ndërmarra. Për ta thënë ashtu siç është, barra e aksionit për klimën vazhdon të bjerë në mënyrë shpërpjesëtimore në shpatullat e vendeve në zhvillim, pavarësisht kontributit tonë minimal në këtë krizë, ndërkohë që ndotësit e mëdhenj bëjnë maksimumin e tyre për të na dhënë leksione, por jo për t’u ndalur vetë.
“Së dyti, vendi ynë synon të bëhet lider energjetik në rajon dhe eksportues neto energjie deri ne 2030, por duhet ta dini që Shqipëria është një prej vendeve të rralla, që nuk ka emetime të dyoksidit të karbonit nga prodhimi i energjisë. Sigurisht nga ana tjetër, përballet me një rrezik ekstrem hidrologjik, sepse ne varemi nga klima edhe pse tashmë jemi në një diversifikim në shkallë të plotë me energjinë e erës dhe diellit”.
“Së treti, Shqipëria ka ecur përpara me zbatimin e praktikave të zgjidhjeve bazuar në natyrë gjatë viteve të fundit dhe këtë vit Vjosa, i pagëzuari lum i fundit i egër i Evropës është shpallur Park Kombëtar në Shqipëri. Angazhimi ynë është i fortë dhe real ndaj ne e bëmë dhe jemi plotësisht të përkushtuar që të vazhdojmë kështu”, -tha Rama.
“Ekonomia e Gjelbër, mund të konsiderohet një dritë shprese në epokën e vetëdijes klimatike, sepse përfaqëson një ndryshim paradigme drejt praktikave miqësore me mjedisin. Në thelb, ekonomia e gjelbër fokusohet në zhvillimin e qëndrueshëm, burimet e rinovueshme të energjisë dhe reduktimin e efekteve të karbonit.”
– Ekonomia e Gjelbër, mund të konsiderohet një dritë shprese në epokën e vetëdijes klimatike, sepse përfaqëson një ndryshim paradigme drejt praktikave miqësore me mjedisin. Në thelb, ekonomia e gjelbër fokusohet në zhvillimin e qëndrueshëm, burimet e rinovueshme të energjisë dhe reduktimin e efekteve të karbonit.
Qeveritë po ndërgjegjësohen gjithnjë e më shumë në lidhje me potencialin ekonomik në investimin në teknologjitë e gjelbra, nxitjen e inovacionit në energjinë e pastër dhe kultivimin e industrive që kanë prioritet ruajtjen e mjedisit. Ekonomia e Gjelbër nuk është thjesht një trend, por një rikonceptim themelor i zhvillimit që respekton ambjentin.
Në sfondin e varfërimit të burimeve detare dhe përshkallëzimit të ndikimeve klimatike në oqeane, Ekonomia Blu paraqet një kurs drejt zhvillimit të qëndrueshëm detar. Vendet bregdetare po fokusohen në shfrytëzimin e përgjegjshëm të burimeve detare, menaxhimin e qëndrueshëm të peshkimit dhe mbrojtjen e ekosistemeve detare. Sfida qëndron në balancimin e përfitimeve ekonomike me nevojën për të ruajtur biodiversitetin e oqeaneve dhe për të siguruar mirëqenien e komuniteteve bregdetare.
Në zemër të Ekonomisë Blu është bindja se “shëndeti” i oqeaneve është i lidhur thelbësisht me “shëndetin” e planetit. Në përgjigje të krizës globale të përshkallëzimit të mbetjeve, Ekonomia Cirkulare shfaqet si një qasje revolucionare ndaj prodhimit dhe konsumit. Ekonomia cirkulare fokusohet në reduktimin, ripërdorimin dhe riciklimin e materialeve.
Qeveritë po eksplorojnë mënyra për të nxitur bizneset të adoptojnë praktika të qëndrueshme, të ridizajojnë produkte për jetëgjatësi dhe të minimizojnë ndikimin mjedisor të proceseve të prodhimit. Ekonomia Rrethore nuk është thjesht një strategji e menaxhimit të mbetjeve, por një vizion transformues për një sistem ekonomik rigjenerues dhe restaurues. Ndërsa këmbanat janë duke rënë në lidhje ndryshimet klimatike, ndikimet e këtyre ndryshimeve nënvizojnë urgjencën për një veprim të përbashkët në nivel global.
Nga ngjarjet ekstreme të motit deri tek rritja e nivelit të detit, pasojat janë të dukshme në mbarë botën. Komuniteti ndërkombëtar është përballur me imperativin për të përmbushur dhe tejkaluar objektivat klimatike të përshkruara në Marrëveshjen e Parisit, duke kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius. Diskutimet e Samitit COP28 janë thelbësore në mënyrë që vendet të rrisin angazhimet e tyre, të përshpejtojnë kalimin drejt energjisë së rinovueshme dhe të krijojnë bashkëpunime që adresojnë sfidën e përbashkët të një klime në ndryshim.
Në bashkimin e ekonomisë së gjelbër, blu dhe cirkulare, komuniteti global qëndron në një udhëkryq. Zgjedhjet e bëra sot do të formësojnë trajektoren e së ardhmes të përbashkët. Ndërsa liderët janë duke diskutuar në Samitin CO28, imperativi është i qartë: të krijohet një set praktikash të qëndrueshme që harmonizojnë prosperitetin ekonomik me kujdesin mjedisor.
Ekonomia e Gjelbër, Blu dhe Cirkulare, të ndërlidhura në mënyrë të ndërlikuar me imperativin për të luftuar ndryshimet klimatike, ofrojnë një udhërrëfyes drejt një të ardhmeje të përbashkët në harmoni me planetin. Në këtë moment kyç, bota pret vendimet e guximshme dhe përpjekjet bashkëpunuese, që do të përcaktojnë trashëgiminë që do t’u lihet brezave që do të vijnë. Në funksion të këtij qëllimi të madh shërben edhe mesazhi drejtuar samitit COP28 në Dubai, nga Ati i Shenjtë, që apeloi, që me paratë e përdorura për armë dhe shpenzime të tjera ushtarake të krijohet një fond global për të eliminuar përfundimisht urinë.
“Sa energji po harxhon njerëzimi në shumë luftëra të vazhdueshme, si në Izrael dhe Palestinë, në Ukrainë dhe në shumë rajone të botës: konflikte që nuk do t’i zgjidhin problemet, por do t’i shtojnë ato! Sa burime të harxhuara për armatim, të cilat shkatërrojnë jetë dhe shkatërrojnë shtëpinë e përbashkë?” Unë bëj një propozim: “me paratë që përdoren për armë dhe shpenzime të tjera ushtarake ne të krijojmë një fond global për të eliminuar përfundimisht urinë” dhe të kryejmë aktivitete që promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm të më të varfërve, duke luftuar ndryshimin e klimës”.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në Samitin Botëror të Ndryshimeve Klimatike COP28 , gjatë diskutimit në ditën e dytë të samitit theksoi :
-Vendi ynë synon të bëhet lider energjetik në rajon dhe eksportues neto energjie deri në 2030, por duhet ta dini që Shqipëria është një prej vendeve të rralla, që nuk ka emetime të dyoksidit të karbonit nga prodhimi i energjisë. Sigurisht nga ana tjetër, përballet me një rrezik ekstrem hidrologjik, sepse ne varemi nga klima edhe pse tashmë jemi në një diversifikim në shkallë të plotë me energjinë e erës dhe diellit”.
– Shqipëria ka ecur përpara me zbatimin e praktikave të zgjidhjeve bazuar në natyrë gjatë viteve të fundit dhe këtë vit Vjosa, i pagëzuari lum i fundit i egër i Evropës është shpallur Park Kombëtar në Shqipëri. Angazhimi ynë është i fortë dhe real ndaj ne e bëmë dhe jemi plotësisht të përkushtuar që të vazhdojmë kështu
MESAZHI i PAPES DREJTUAR SAMITIT
Ati i Shenjtë apeloi, që me paratë e përdorura për armë dhe shpenzime të tjera ushtarake të krijohet një fond global për të eliminuar përfundimisht urinë: “Sa energji po harxhon njerëzimi në shumë luftëra të vazhdueshme, si në Izrael dhe Palestinë, në Ukrainë dhe në shumë rajone të botës: konflikte, që nuk do t’i zgjidhin problemet, por do t’i shtojnë ato! Sa burime të harxhuara për armatim, të cilat shkatërrojnë jetë dhe shkatërrojnë shtëpinë e përbashkët!”.
Unë bëj një propozim: “me paratë që përdoren për armë dhe shpenzime të tjera ushtarake ne të krijojmë një fond global për të eliminuar përfundimisht urinë” dhe të kryejmë aktivitete që promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm të më të varfërve, duke luftuar ndryshimin e klimës”.