Gjermania është në prag të një hapi të madh: Për herë të parë në historinë e saj, lejon pa kushtëzime shtetësinë e dyfishtë.
Parlamenti Gjerman në Berlin ka filluar konsultimet për reformimin e ligjit të ri të shtetësisë gjermane. 8 risitë kryesore.
- Lejohet shtetësia e shumëfishtë
Ligji aktual e lejon shtetësinë e dyfishtë për shtetasit e BE-së, Zvicrës si edhe për fëmijët e lindur dhe rritur në Gjermani deri në moshën 22-vjeçare. Më pas ata duhet të vendosnin se cilën shtetësi duhet të mbajnë. Kusht për dhënien e shtetësisë gjermane, sipas ligjit aktual, është heqje e shtetësisë së mëparshme. Ky kusht, anashkalohej vetëm në raste të jashtëzakonshme, kur shteti i origjinës nuk pranonte t’ia hiqte shtetësinë qytetarit të vet. Raste të tilla kanë qenë për shembull, për shtetasit nga Irani, ose edhe nga Kosova, para shpalljes së pavarësisë. Me ligjin e ri, bie kushti i heqjes së shtetësisë tjetër, për të marrë shtetësinë gjermane.
- Shkurtohen afatet e fitimit të shtetësisë
Ndërsa sipas ligjit ekzistues duheshin tetë vjet qëndrim në Gjermani për të marrë shtetësinë gjermane, ligji i ri lejon marrjen e shtetësisë edhe pas pesë vjetësh qëndrimi në Gjermani, madje edhe pas tre vjetësh, nëse dëshmon aftësi të veçanta integruese.
- Shkurtohet afati i qëndrimit të prindit për fitimin e shtetësisë së fëmijëve
Periudha e nevojshme e qëndrimit të prindit në Republikën Federale për marrjen automatike të shtetësisë gjermane nga ana e fëmijëve të lindur në vend do të shkurtohet nga tetë në pesë vjet. HIqet rregulli i përzgjedhjes së një shtetësie, në moshën 22-vjeçare.
- Njohja e rendit kushtetues të lirë demokratik
Si parakusht për fitimin e shtetësisë gjermane bie kushti për t’iu nënshtruar jetesës gjermane, dhe vihet kushti i njohjes së rendit kushtetues të lirë dhe demokratik.
- Shtetësia gjermane nuk u jepet antisemitëve dhe racistëve
Sipas projektligjit dhe propozimeve përkatëse të shtuara nga qeveria, në përgjigje të rritjes së urrejtjes ndaj hebrenjve në Gjermani. Ligji parashikon që shtetësia gjermane të mos u jepet personave që bëjnë propagandë antisemite, ku hyn edhe mohimi i të drejtës ekzistenciale të Izraelitsi edhe djegia e flamurit izraelit.
- Shtetësia nuk u jepet homofobëve dhe burrave të martuar me shumë gra, ose që përçmojnë gratë
Ky propozim i është shtuar projektligjit me kërkesë të Këshillit Federal, Bundesrat, që është organ i dytë ligjvënës në Gjermani, krahas parlamentit në shkallë federale, Bundestag. Këshilli Federal ka kërkuar që të mos u jepet shtetësia gjermane personave që me sjelljen e tyre e kanë dëshmuar se nuk i respektojnë të drejtat e barabarta mes burrave dhe grave ose kryejnë vepra përçmuese ndaj një gjinie të caktuara ose ndaj një orientimi seksual të caktuar”.
- Informacione në prokurori
Autoritetet përkatëse kanë të drejtë të informohen për kandidatin në zyrat përkatëse të prokurorisë publik për vepra penale të bazuara në motive antisemite, raciste ose të tjera përmuese ndaj njerëzve.
- Lëshime dhe përjashtime për migrantët e orëve të para
Projektligji bën përjashtime për disa grupe të caktuara migrantësh, që jetojnë në Gjermani prej shumë vitesh, e që janë mbi 65-vjeçarë. Ata kanë të drejtë ta marrin shtetësinë pa kaluar në provim gjuhe, dhe pa qenë nevoja të dëshmojnë se nuk marrin ndihma sociale. Bëhet fjalë sidomos për fuqinë punëtore të rekrutuar nga Gjermania në vitet 50-të deri në fund të viteve 70-të të shekullit të kaluar, e që në Gjermaninë Federale, pra Perëndim, quheshin Gastarbeiter (punëtorë të ftuar), kryesisht nga Turqia dhe ish-Jugosllavia, si edhe punëtorët e rekrutuar nga Gjermania Lindore (Vertragsarbeieter) shumica e të cilëve vijnë nga Vietnami. Gjermania me këtë hap kompenson kështu gabimet e së shkuarës./Dw