Shefi i larguar i OpenAI, Sam Altman do të kthehet për të drejtuar kompaninë që ai bashkëthemeloi, pas disa ditësh spekulime që ndodhën në start-upin më të madh të inteligjencës artificiale.
Në një ndryshim dramatik, Altman, i cili u shkarkua nga bordi i drejtorëve të OpenAI javën e kaluar, do të rikthehet nën mbikëqyrjen e një bordi të ri, tha kompania të martën vonë në Kaliforni.
Greg Brockman, bashkëthemeluesi dhe presidenti që u largua nga kompania të premten pasi Altman u shkarkua, do të kthehet së bashku me të. Nuk është bërë ende e ditur se çfarë roli do të marrë ai pas kthimit.
Sipas një “marrëveshjeje në parim”, Altman do të shërbejë nën mbikëqyrjen e një bordi të ri drejtorësh, i përbërë fillimisht nga ish-shefi ekzekutiv i Salesforce, Bret Taylor, si kryetar; ish-sekretari amerikan i Thesarit, Larry Summers; dhe Adam D’Angelo, një anëtar ekzistues i bordit të OpenAI dhe shef ekzekutiv i platformës me pyetje dhe përgjigje, Quora.
Rikthimi i Altman ofron zgjidhje për një krizë që bëri që pothuajse të gjithë punonjësit dhe investitorët e kompanisë të viheshin kundër bordit prej katër personash.
“Unë e dua OpenAI-n dhe gjithçka që kam bërë gjatë ditëve të fundit ka qenë në shërbim të mbajtjes të bashkuar të këtij ekipi dhe misionit të tij,” shkroi Altman në faqen e mediave sociale X në përgjigje të njoftimit për kthimin e tij.
Bordi që shkarkoi Altman të premten përfshinte D’Angelo, një tjetër bashkëthemelues i OpenAI, Ilya Sutskever, sipërmarrësja e teknologjisë Tasha McCauley dhe Helen Toner nga Qendra për Sigurinë dhe Teknologjinë në zhvillim në Universitetin Georgetoën.
Nën presionin e punonjësve, Sutskever të hënën në mëngjes bëri kthesë dhe mbështeti rikthimin e Altman. Ndërsa D’Angelo mbetet në detyrë, tre anëtarët e tjerë nuk janë në bordin e ri, sipas një deklarate nga OpenAI të martën mbrëma.
D’Angelo, Toner dhe McCauley kishin negociuar si bllok dhe mbështetën zgjedhjen që vetëm njëri prej tyre të mbetej në bord, tha një person i përfshirë në negociata, duke shtuar se do të kishte një hetim të pavarur për atë që kishte ndodhur.
Me “mbështetjen” e bordit të ri të OpenAI, Altman tha se mezi priste të “rikthehej në OpenAI dhe të ndërtonte partneritetin e fortë me Microsoft”.
Shefi ekzekutiv i Microsoft, Satya Nadella i kishte premtuar mbështetjen e tij Altman-it gjatë fundjavës, duke i ofruar punë atij dhe Brockman-it, ose kthimin e tyre në OpenAI. Microsoft zotëron një pjesë të konsiderueshme të pakicës në OpenAI.
Nadella tha se ai ishte “i inkurajuar nga ndryshimet në bordin e OpenAI” dhe besonte se vendimi ishte “hapi i parë thelbësor në një rrugë drejt qeverisjes më të qëndrueshme, të mirëinformuar dhe efektive”. Altman dhe Brockman kanë role “kyçe” së bashku me ekipin drejtues të kompanisë, shtoi ai.
Emmett Shear, bashkëthemelues i shërbimit të transmetimit video Twitch, i cili u emërua nga bordi si shef ekzekutiv i përkohshëm të dielën, tha se ishte “thellësisht i kënaqur” me një rezultat “që maksimizoi sigurinë së bashku me veprimet e duhura nga të gjitha palët e përfshira”.
Josh Kushner, themeluesi i Thrive Capital, një investitor i madh i kapitalit sipërmarrës në OpenAI që kishte lobuar për kthimin e Altman, tha: “Ne besojmë se ky është rezultati më i mirë për kompaninë, punonjësit e saj, ata që ndërtojnë teknologjitë e tyre dhe botën në tërësi.”
OpenAI tha në një deklaratë: “Ne po bashkëpunojmë për të gjetur detajet. Faleminderit shumë për durimin tuaj gjatë këtij procesi.”
Toner, një nga drejtorët që u largua nga bordi si pjesë e marrëveshjes, postoi në X: “Dhe tani, ne të gjithë le të flemë pak.”/Financial Times