Shefja e teknologjisë Mira Murati bëhet shefe e përkohshme pas largimit të papritur të bashkëthemeluesit. Lajmi është bërë i ditur nga Financial Times.
Bashkëthemeluesi i OpenAI, Sam Altman, është larguar nga kompania papritur pasi ka humbur besimin e bordit, sipas një deklarate të premten nga pionieri i inteligjencës artificiale, të mbështetur nga Microsoft.
“Largimi i zotit Altman pason një proces shqyrtimi konsultativ nga bordi, i cili arriti në përfundimin se ai nuk ishte vazhdimisht i sinqertë në komunikimet e tij me bordin, sjellje që ka ndikuar negativisht në aftësinë e tij për të ushtruar përgjegjësitë e e detyrës.
Bordi nuk ka më besim në aftësinë e tij për të vazhduar drejtimin e OpenAI”, thuhet në deklaratë.
Altman tha në një postim në X: “Më pëlqeu koha në OpenAI. Ishte transformuese për mua personalisht, dhe shpresoj që ka qenë disi e tillë dhe për botën.”
“Do të kemi më shumë për të thënë për atë që do të ndodhë më vonë,” shtoi ai.
Greg Brockman, një tjetër bashkëthemelues i OpenAI së bashku me Altman, tha se do të jepte dorëheqjen nga kompania. Vetëm disa orë më parë, bordi i OpenAI kishte thënë se Brockman do të hiqte dorë nga pozicioni e tij si kryetar, por do të qëndronte në kompani, duke raportuar te shefi ekzekutiv.
Altman do të zëvendësohet nga Mira Murati, shefe e teknologjisë e kompanisë, e cila do të shërbejë si shefe ekzekutive e përkohshme derisa të emërohet një zëvendësues i përhershëm. Ai gjithashtu do të largohet nga bordi i OpenAI. Pas largimeve të Altman dhe Brockman, i cili është gjithashtu shkencëtari kryesor i grupit, Ilya Sutskever është themeluesi i vetëm i OpenAI që mbetet në bordin e tij.
Brockman shkroi në një deklaratë të premten vonë se ai dhe Altman nuk ishin paralajmëruar nga Sutskever për vendimin e bordit, që iu dha në një takim të Google. Altman e mori vesh se do të shkarkohej 30 minuta përpara se OpenAI të jepte një deklaratë për publikun, tha Brockman, duke shtuar se ai ishte informuar se do të hiqej nga bordi disa minuta më vonë.
“Ne gjithashtu jemi ende duke u përpjekur të kuptojmë saktësisht se çfarë ka ndodhur,” tha Brockman, duke shtuar: “Gjëra më të mëdha vijnë së shpejti.”
Një zëdhënës i OpenAI tha se kompania nuk kishte “asgjë për të shtuar në këtë moment”.
Largimi i Altman shkaktoi valë tronditëse në Silicon Valley të premten. 38-vjeçari është bërë fytyra publike e bumit të inteligjencës artificiale gjeneruese, pas lançimit të chatbotit të OpenAI ChatGPT një vit më pare, që u bë jashtëzakonisht popullor.
Ai ka qenë ekzekutivi më i spikatur në sektorin, që shënoi rritje të shpejtë dhe ishte ambasadori de facto për Silicon Valley në përpjekjet e tij për të bindur qeveritë në mbarë botën se ndjekja e AI shumë të sofistikuar mund të menaxhohej në mënyrë të sigurt.
OpenAI ka tërhequr miliarda dollarë investime nga partnerët strategjikë – më së shumti nga Microsoft – dhe fonde të shquara sipërmarrjesh duke përfshirë Sequoia Capital, Andreessen Horoëitz dhe Thrive Capital të Josh Kushner.
Ky i fundit po përgatitet të drejtojë një blerje deri në 1 miliard dollarë në aksione të punonjësve në një marrëveshje që e vlerëson OpenAI në 86 miliardë dollarë, sipas njerëzve që kanë informacion për situatën.
Por një numër i investitorëve të OpenAI, duke përfshirë figura të larta në Microsoft, duket se ishin kapur në befasi nga njoftimi i së premtes, sipas njerëzve me njohuri për situatën.
“Edhe miqtë e ngushtë nuk e kanë idenë [çfarë ka ndodhur]”, tha një mik i Altman. Nuk është e qartë nëse shitja e aksioneve të punonjësve do të ndikohet nga largimi i Altman.
Në ditën e inaugurimit të zhvilluesit të kompanisë në fillim të këtij muaji, Altman pati një ton triumfues teksa hapi një dyqan për aplikacione duke përdorur AI dhe njoftoi se produkti i saj kryesor ChatGPT kishte arritur 100 milionë përdorues.
Në një postim në X të premten mbrëma, Altman iu përgjigj mbështetjes që mori nga investitorët dhe teknologët – duke përfshirë themeluesin dhe shefin ekzekutiv të Airbnb Brian Chesky dhe ish-shefin e Google Eric Schmidt – duke thënë se ishte “si të lexosh eulogjinë tënde ndërsa je ende gjallë”.
Bordi i drejtorëve të OpenAI tha në deklaratën e tij të premten se ishte mirënjohës për kontributet e Altman në rritjen e kompanisë, por shtoi “ne besojmë se ka nevojë për një lidershipi të ri ndërsa ecim përpara”.