Nga problemet me pronat e deri tek korrupsioni, qeveria shqiptare duhet të zgjidhë disa probleme dhe të vendosë rregulla në treg që investimet amerikane të rriten shumë më shumë se deri më tani. Ka qenë ky mesazhi që investitorët kanë dhënë në Asamblenë e Përgjithshme të Dhomës Amerikane të Tregtisë.
“Dikush një herë tha që nëse keni rritje 250% të investimeve, çfarë doni më shumë? Përgjigja ime është, ne nuk duam thjesht më shumë. Ne duam shumë më shumë. Ne vlerësojmë se potenciali i Shqipërisë është për t’i pesëfishuar investimet amerikane, për t’i bërë ato nga 220 milionë dollarë në mbi 1 miliardë dollarë”, deklaroi Enio Jaço, President i Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Por, për të ngarkuarin me punë pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë, David Wisner, Shqipëria duhet të punojë jo vetëm në drejtim të hartimit, por edhe të zbatimit ashtu siç duhet të ligjeve. “Ne jemi duke e mbështetur fuqishëm Reformën në Drejtësi në Shqipëri dhe është bërë progres në këtë drejtim. Unë jam besimplotë se Shqipëria do të thithë më shumë investime nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qeveria duhet të vërë në vijë rregullat, procedurat dhe të zgjidhë problemet me pronat, të çlirojë bizneset nga korrupsioni përmes sistemit të drejtësisë dhe të na bëjë ne më të begatë”, u shpreh ai.
Pjesë e Asamblesë ishte edhe Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, i cili paralajmëroi nisma ligjore në drejtim të përmirësimit të klimës së të bërit biznes në Shqipëri: “Gjithashtu, do të vijojmë të punojmë për çuarjen përpara të reformave të nisura që kanë të bëjmë me përmirësimet ligjore, veçanërisht sa i takon një kuadri të unifikuar për investimet, por edhe forcimin e shtetit të së drejtës”.
Asambleja e këtij viti e Dhomës Amerikane të Tregtisë, shënoi edhe përmbylljen e drejtimit 4-vjeçar në krye të saj të Enio Jaço. Përfaqësuesit e 256 kompanive anëtare do të zgjedhin edhe Presidentin e ri, i cili do të ketë si sfidë çuarjen më tej të marrëdhënieve ekonomike Shqipëri-SHBA.