Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka bërë apel për një hetim të plotë lidhur kërcënimin me jetë ndaj kryetarit të KQZ-së, Klement Zguri dhe familjes së tij.
Përmes një postimi në Facebook Paloka thotë se Zguri është kërcënuar nga një bandit për pushtetin e Edi Ramës, për shkak të kërkesës së tij për të hedhur dritë mbi mbushjen e kutive dhe manipulimin e numrit të votuesve.
Të njëjtën qëndrim Paloka mban edhe për kërcënimin ndaj profesorit të njohur, Aurel Plasari.
“Mediat në vend kanë raportuara se menjëherë pasi Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkoi hetim administrativ të manipulimit dhe mbushjes së kutive në votimet moniste dhe antikushtetuese të 30 Qershorit, ai ka marrë kërcënime serioze, për jetën e tij dhe të familjes së tij.
Në Shqipërinë e Edi Ramës ku krimi i organizuar qeverisë bashkë me të, kushdo që guxon të zbatojë ligjin, kërcënohet nga bandat e Edi Ramës.
Bandat prekin zgjedhjet, bandat mbushin kutitë, bandat blejnë vota dhe shantazhojnë votues, sot kanë kaluar çdo limit duke kërcënuar me jetë Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve z. Klement Zguri dhe familjen e tij.
Partia Demokratike kërkon menjëherë arrestimin dhe vënien përpara përgjegjësisë të banditit që, për pushtetin e Edi Ramës, kërcënon kreun e KQZ-së, për shkak të kërkesë së tij për të hedhur dritë mbi mbushjen e kutive dhe manipulimin e numrit të votuesve.
Ky është i njëjti bandit që ka kërcënuar edhe profesor Aurel Plasarin, i cili e ka denoncuar faktin pas bërjes publik të kërcënimit të kreut të KQZ, duke vënë në dukje se kjo është fryma me të cilën Rama ka organizuar 30 Qershorin.
Nuk ka bandë që mbulon krimin kushtetues dhe elektoral që ka kryer Edi Rama më 30 Qershor.
Sado të fshihet, sado të përdorë kriminelët e tij në KQZ, sado të përdor bandat, shqiptarët e kanë thënë fjalën e tyre. 85% e qytetarëve refuzojnë Edi Ramën.
Duke e konsideruar Edi Ramën të vetmin përgjegjës për situatën e krijuar në vend ndaj kundërshtarëve politikë, Partia Demokratike paralajmëron kryeministrin gangster të tërheqë banditët që ka lëshuar rrugëve për të kërcënuar këdo që nuk i bindet. Në të kundërt, ai do të mbajë vetë përgjegjësi për gjithçka!”, deklaroi Paloka.