Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit “Standard & Poor’s” ka vlerësuar në ngritje perspektivën e Shqipërisë. Sipas raporti të kësaj agjencie, vendi ynë konfirmohet nga perspektivë e qendrueshme në pozitive duke marrë vlerësimin “B+”. Ky është vlerësimi i parë në ngritje për Shqipërinë që nga viti 2016.
Sipas agjencisë, “Perspektiva pozitive” pasqyron pikëpamjen e saj se parametrat fiskale të vendit do të vijojnë të përmirësohen përtej pritshmërive, nëpërmjet përpjekjeve të qeverisë për të konsoliduar financat publike. Për më tepër, pavarësisht një ngadalësimi të partnerit kryesor tregtar të vendit, BE-së, agjencia parashikon që parametrat e pozicionit të jashtëm të Shqipërisë mund të përmirësohen më shumë se ç’pritej, ndërsa ekonomia globale rimëkëmbet dhe sektori shqiptar i turizmit vazhdon të zgjerohet.
Agjencia parashikon se pas një moderimi të rritjes për këtë vit në 3%, kryesisht për shkak të kërkesës së huaj më të ulët nga Evropa, rritja pritet të rimarrë shpejtësi pas vitit aktual 2023, duke u mbështetur edhe në lehtësimin e kushteve financiare dhe rritjen e aktivitetit ekonomik global.
Sipas agjencisë, vitet e fundit, Shqipëria është përballur me një sërë goditjesh, përfshirë një tërmet në vitin 2019.
“Pavarësisht kësaj, qeveria ka bërë përpjekje të forta për të konsoliduar financat publike. Si rezultat, agjencia pret që deficiti buxhetor të konvergojë në rreth 2% të PBB deri në vitin 2026 dhe borxhi publik të reduktohet në 58.3% në 2026 nga 64.5% që rezultoi në 2022, duke qenë në përputhje me rregullat fiskale të balancës primare dhe të reduktimit të borxhit publik të përcaktuara në Ligjin Organik të Buxhetit (OBL). Megjithatë, agjencia vëren se konsolidimi fiskal do të varet edhe nga rimëkëmbja e qëndrueshme e rritjes ekonomike dhe vijimësia e reformave strukturore”.
Agjencia vëren se inflacioni ka rënë, duke arritur në 4% në gusht, në rënie të ndjeshme nga 7.2% që rezultonte në janar, si dhe ajo parashikon që inflacioni do të jetë mesatarisht 4.7% për vitin 2023, pastaj do të bjerë gradualisht në nivelin e targetuar prej 3%, në sajë edhe të forcimit të lekut.
Duke pasur parasysh mungesën e mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe gjeografike të Shqipërisë, mbështetjen e saj të fuqishme të brendshme për BE-në dhe shumicën parlamentare të qeverisë, e cila lehtëson kalimin e reformave, agjencia beson se vendi është i mirëpozicionuar për të përparuar në ofertën e tij për anëtarësim në BE, pa pengesa të mëdha të jashtme.
Lajm i mirë për biznesin dhe investitorët e huaj
Lidhur me vlerësimin në ngritje që agjencia Standard & Poor’s ka dhënë për Shqipërinë ka reaguar ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Delina Ibrahimaj. Sipas saj, kjo do të thotë një klimë e përmirësuar për biznesin e ndikuar nga politikat e ndërmarra në funksion të zhvillimit ekonomik.
“Në rishikimin më të fundit, Agjencia thekson se rritja ekonomike pritet të rimarrë shpejtësi pas vitit 2023, ndërkohë që do të lehtësohen edhe kushtet e financimit të ekonomisë. Ky vlerësim do të ndikojë në rritjen e interesit të investitorëve të huaj në vend. Një nga motorët kryesor të zhvillimit do të jenë investimet e huaja direkte. Ky vlerësim është një sinjal pozitiv që tregon se kemi ndërmarrë politikat e duhura, në mbështetje edhe të biznesit, si një partner kyç për ne, në zbatim të reformave që po ndërmarrim”, theksohet ne postimin që ministrja ka bërë në faqen e saj në facebook.