Pak ditë na ndajnë nga edicioni i dytë i Festivalit ndërkombëtar “Violina e Paqes”. Pas suksesit të vitit të kaluar, festivali vjen këtë vit me dy koncertet kryesore të tij në Tiranë në datën 25 shtator në “Qendren Kulturore pranë Katedrales Ortodokse” dhe në datën 27 Shtator në Hotel Adriatik Durrës . Aktivitete të tjera sociale – artistike do ta shoqërojnë Festivalin. Drejtuesi i këtij eventi, Kledis Rexho, tregon se “Edhe këtë vit nuk do të mungojë misioni ynë pedagogjik në ndihmë të talenteve të reja të muzikës klasike”.
Festivali “Violina e Paqes” vjen me miq dhe muzikantë shqiptarë dhe të huaj dhe koncertet kryesore të tij do t’i dedikohen në Durrës kompozitorit tonë historik dhe shpikësit të shkrimit muzikor bizantin, Jan Kukuzeli. Në Tiranë do t’i dedikohet ikonës së Muzikës popullore të Tiranës, Zotit Muharrem Gurra.
Një grup artistësh të huaj, drejtuar nga organizatori e këtij eventi të përvitshëm, Violinisti Kledis Rexho, vijnë në Shqipëri falë mbështetësve të këtij eventi, që për këtë vit janë Shoqata ” Shoqnia – Tirona Autoktone” dhe Hotel Adriatik Durrës 5 Stars B.W. Premier Collection. Eventi është fuqizuar edhe falë “Elite travel Group” , Studio Domi Durrës, Piano House Albania, Universiteti Barleti , Decibel, Art Anima.
Businessmag Albania e ka mbështetur këtë event vitin e kaluar dhe do të vijoj, duke ju ftuar të ndiqni talentet ndërkombëtare dhe mbi të gjitha të njiheni me talentet e reja shqiptare që zbulon ky Festival. Gjatë vitit të kaluar, “Violina a Paqes” zbuloi dy talente. Kledis na tregon se, “bashkëpunim dhe puna e mëtejshme, ka bërë që dy fëmijët e talentuar të jenë sot në shkollën më të mirë të Muzikës së Parisit. Festivali i uron Vesës dhe Brajanit një vit shkollor sa më të mbarë në Francë”.
Ndaj ju ftojmë të blini biletën e pjesëmarrjes, për t’u njohur edhe me muzikantët dhe miqtë e Festivalit. Ato janë: familja Gurra, solistët dhe orkestrantët, koordinatorët pedagogjikë Ami Flammer, Bujar Sykja, Vera Tego.
Armand Broshka është violinisti dhe orkestranti që ka bërë punën kërkimore dhe orkestrimet për këtë projekt.
“Life and Music Concept Orchestra”, është orkestra e parë ndërkombëtare, me bazë në Shqipëri, me muzikantë shqiptarë dhe të huaj, e cila do të performojë, jo vetëm në dy koncertet kryesore të Festivalit “Violina e Paqes”, por do të jetë e ftuar nderi për një moment muzikor në Festivalin ndërkombëtar të orkestrave në Elbasan, të organizuar nga muzikanti i nderuar Elbasanas, Blerim Narazani.
Artistët e “Violina e Paqes” shprehin mirënjohje presidentes të nderit të Festivalit, Zonjës Nevila Dudaj dhe të gjithë artdashësve që ndihmojnë dhe besojnë tek ky projekt./Business Mag