Shkëputja nga puna gjatë pushimeve, tingëllon shumë më e lehtë se sa është në të vërtetë. Disa kompani mund të presin, që ju të mbeteni në kontakt, t’u përgjigjeni e-mail-eve ose të merrni pjesë në takime.
Megjithatë, kërkimet dhe komentet, që datojnë që në vitet 1910, tregojnë se pushimet, shkëputja e plotë nga puna, janë kritike për uljen e burnout, rritjen e energjisë, angazhimin dhe përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së përgjithshme, gjë që nga ana tjetër do të çojë në produktivitet të qëndrueshëm.
Pra, si të shkëputeni nga puna gjatë pushimeve, për të arritur të gjitha këto përfitime? Autori Marlo Lyons ndan pesë këshilla, për të vendosur kufij të fortë në mënyrë profesionale.
Planifikoni si do të kryhet puna gjatë mungesës suaj
Pasi t’ju miratohen pushimet, jini të qartë me drejtuesin se nuk do të jeni të disponueshëm gjatë atyre javëve.
Nuk keni pse të tregoni se ku po shkoni ose çfarë do të bëni, por kaloni kohë duke shpjeguar se si koha e pushimit, do t’i sjellë përfitim biznesit pas kthimit tuaj.
Për shembull, energjia që fitoni nga shkëputja, do t’ju lejojë të kthjelloni mendjen, në mënyrë që të jeni më në gjendje të përqendroheni në projektet e ardhshme.
Kjo bisedë duhet të përfshijë gjithashtu, një plan për menaxherin ose kolegët, për të zëvendësuar mungesën tuaj. Përgatiteni këtë plan me shkrim, veçanërisht nëse jeni duke marrë një pushim të gjatë.
Informoni të tjerët për datat kur do të jeni me pushime
Pushimet mund të jenë përcaktuar dhe miratuar nga burimet njerëzore, por drejtuesi nuk do t’i mbajë mend datat e sakta. Kolegët e tjerë nuk do ta dinë që jeni jashtë zyrës derisa të duan t’ju kontaktojnë.
Pra, sapo pushimet t’ju miratohen, dërgojini një e-mail menaxherit tuaj, anëtarëve të ekipit dhe palëve të interesuara ndërfunksionale, që saktëson kohën kur nuk do të jeni të disponueshëm.
Kjo do t’i lejojë ata, të përgatiten dhe të komunikojnë çdo nevojë përpara nisjes.
Dërgoni njoftime paraprake për mbledhjet ku nuk do të mund të merrni pjesë
Në vend që të refuzoni kërkesat për mbledhje kur jeni me pushime, dërgoni email për t’u bërë të ditur njerëzve që drejtojnë ato takime, se nuk do të jeni aty dhe pyesni nëse kanë nevojë për ndonjë gjë, përpara se të niseni.
Kjo tregon se jeni përgjegjës ndaj partnerëve dhe ju jep një mundësi për t’i informuar ata, se nuk do të jeni të disponueshëm ose të pranishëm.
Nëse takimi përfundon me Zoom, Microsoft Teams ose një platformë tjetër komunikimi, kërkojini drejtuesit të regjistrojë takimin për ju, nëse do t’ju duhet informacioni kur të ktheheni.
Nëse takimi është personalisht, kërkojini udhëheqësit t’ju dërgojë shënime dhe të theksojë çdo fushë, që do t’ju orientoje kur të ktheheni.
Formuloni me saktësi përgjigjen automatike të postës elektronike
Shumica e njerëzve, nuk mund të lënë punën e tyre dhe të mos kenë dikë tjetër, për të kryer punën e tyre ose për t’iu përgjigjur urgjencave.
Është e rëndësishme të jeni të qartë në përgjigjen automatike të e-mailit, se kush do të jetë i disponueshëm në mungesë tuaj.
Sigurohuni, që formulimi të jetë i qartë, por profesional. Nëse jeni të butë në mesazhin tuaj, si duke thënë se do të jeni “mund të përgjigjem me vonesë”, kolegët do të presin që ju të përgjigjeni.
Njoftimi automatik i e-mailit kur të jeni me pushime, duhet të shpjegojë se nuk do të keni akses në e-mail dhe nuk do të jeni të arritshëm, derisa të ktheheni në datën [X].
Lidhuni me menaxherin tuaj lidhur me atë se kush duhet të kontaktohet për një rast urgjent dhe kush do të trajtojë pyetje të tjera të rëndësishme, por jo urgjente.
Dërgoni një kujtesë përfundimtare
Javën para pushimeve, dërgojuni një email menaxherit, anëtarëve të ekipit dhe palëve të interesuara ndërfunksionale, duke i njoftuar se kur do të jeni me pushime dhe datën kur do të ktheheni.
Kujtojuni atyre, se nuk do të jeni të disponueshëm dhe nuk do t’u përgjigjeni e-maileve ose telefonatave. Nëse është e nevojshme, tregoni se ku mund të gjejnë informacione, që mund t’u nevojiten dhe kush do të përgjigjet, gjatë mungesës suaj.
Ky lloj rikujtimi tregon profesionalizëm dhe të kuptuarit se biznesi vazhdon, ndërkohë që ju jeni larguar. Gjithashtu, do të ndihmojë në reduktimin e çdo problemi të pazgjidhur, me të cilin do të duhet të merreni kur të ktheheni.
Kolegët do t’ju respektojnë për vendosjen e kufijve të qartë, kur jeni me pushime. Më e rëndësishmja, pasi të vendosni kufijtë, sigurohuni që t’i mbani ato!
Mos lexoni mesazhe ose e-maile, sepse sapo të hapni ‘derën e punës’, është pothuajse e pamundur ta mbyllni përsëri. / Harvard Business Review