Muaji korrik shënon fluksin e lartë të bizneseve që masivisht i drejtohen portalit e-Albania për të depozituar bilancet vjetore pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit. Bizneset shqiptare dhe të huaja, të regjistruara në Regjistrin Tregtar, ftohen të kryejnë depozitimin e dokumentacioneve brenda datës 31 korrik.
e-Albania ofron një procedurë të shpejtë që finalizohet në pak minuta nga administratorët apo personat e autorizuar. Por bizneset (administratorët apo personat e autorizuar prej tyre) ftohen të kenë kujdes me procedurat e depozitimit, pasi pasqyrat financiare dhe dokumentacionet e tjera përmbledhëse vjetore duhet të ngarkohen në formularin elektronik të aplikimit, vetëm pasi të kenë nënshkrimin elektronik, një aset i çmuar i arritjeve të digjitalizimit në Shqipëri, që jep mundësinë e firmosjes së një sërë dokumentesh elektronikisht, kudo dhe kurdo. Si funksionon procedura?
Shërbimin e posaçëm bizneset e gjejnë tek e-Albania të emërtuar si: Depozitimi i pasqyrave financiare dhe raporteve të auditimit (për subjektet me administrator shqiptar dhe/ose të huaj: Submission of financial statements and audit reports (for entities with Albanian and/or foreign administrators – https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=12582)
Shumica e bizneseve tashmë janë mësuar me ritualin e depozitimit të dokumenteve më sipër.
Portali e-Albania ka publikuar një video orientuese për hapat që duhet të kryhen deri në finalizimin me sukses të formatit të aplikimit https://youtu.be/KL-i-I-t_lk
Procedura rutinë kryhet vetëm në pak minuta dhe ngarkimi i dokumentacioneve nuk merr aspak kohë. e-Albania garanton përdoruesit për një shërbim cilësor dhe pa vonesa, duke u dhënë mundësinë bizneseve që edhe në rast se administratori apo personi i autorizuar nuk e kanë ende nënshkrimin elektronik, mund ta përfitojnë mundësinë falas me një afat vlefshmërie dy javore, duke përdorur shërbimin: Aplikim për pajisje me nënshkrim elektronik për të punësuarit dhe subjektet tatimpaguese (https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=13521) dhe duke zgjedhur në formularin e aplikimit, opsionin e aplikimit për regjistrim fillestar.
Në total, janë mbi 20 mijë subjekte në të gjithë vendin që kanë detyrimin të depozitojnë bilancet për vitin paraardhës pranë QKB-së, ndërkohë që ky është viti i 8-të i depozitimit online me anë të portalit qeveritar e-Albania.