Edhe pse qëndron në terren pozitiv, përmirësimi i besimit konsumator është ngadalësuar ndjeshëm në qershor, në krahasim me muajt e mëparshëm. Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) u rrit me 0.8 pikë muajin a kaluar. Aktualisht, niveli i TNE-së qëndron 19.6 pikë mbi mesataren afatgjatë, niveli më i lartë historik.
Rritja e TNE-së u përcaktua nga rritja e besimit në sektorët e industrisë, ndërtimit e tregtisë si dhe nga përmirësimi i besimit konsumator.
Treguesi i besimit në ndërtim (TBN) u rrit me 2.2 pikë përqindje në muajin qershor, duke shënuar nivelin më të lartë historik. Ky tregues qëndron 37 pikë përqindje mbi nivelin e mesatares afatgjatë. Rritja këtë muaj u përcaktua si nga vlerësimet më të mira për aktivitetin aktual ndërtues ashtu dhe për nivelin e porosive aktuale. Ndërkohë, si pritjet për punësimin ashtu edhe ato për çmimet në të ardhmen shënuan rritje.
Treguesi i besimit në shërbime (TBSH) u ngadalësua me 1.6 pikë përqindje në muajin qershor. Megjithatë, niveli i TBSH-së qëndron rreth 27.5 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë duke shënuar një nga vlerat më të larta historike Rënia e komponentit të ecurisë aktuale të aktivitetit ka ndikuar dhe në ngadalësimin e treguesit të besimit të sektorit përkatës. Ndërkohë, niveli i kërkesës ka regjistruar përmirësim. Pritjet e bizneseve për kërkesën dhe punësimin në të ardhmen janë pothuajse në të njëjtat nivele me aktualen. Pritjet e tyre për ecurinë e çmimeve në të ardhmen nuk kanë pësuar ndryshime të rëndësishme në krahasim me muajin e kaluar.
Treguesi i besimit në tregti (TBT) vijoi prirjen rritëse, me rreth 0.7 pikë përqindje në këtë muaj. Kjo lëvizje u ndikua kryesisht nga vlerësime shumë optimiste mbi ecurinë e punësimit në të ardhmen të biznesit. Niveli aktual i TBT-së qëndron rreth 15 pikë përqindje mbi mesataren historike. Gjithashtu, pritjet për ecurinë e punësimit në të ardhmen u vlerësuan me rënie të rëndësishme këtë muaj.
Treguesi i besimit konsumator (TBK) rezultoi i përmirësuar me rreth 0.6 pikë përqindje në muajin qershor. Niveli i tij, prej muajit mars, qëndron mbi mesataren historike, për herë të parë që nga muaji shtator 2021. Përmirësimi i TBK-së këtë muaj u përcaktua nga vlerësimi më pozitiv i tyre për blerje në shuma të mëdha aktuale dhe në të ardhmen . Pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve në të ardhmen janë rishikuar për poshtë.Treguesit me frekuencë tremujore1 shfaqën një ecuri pozitive me bazë të gjerë sektoriale për treguesin e gjendjes financiare të bizneseve krahasuar me rezultatet e vrojtimeve të tre muajve më parë.
Gjendja financiare e bizneseve u përmirësua gjatë tremujorit të dytë të vitit 2023, në sektorin e industrisë (+8.8 pikë përqindje), ndërtimit (+4.7 pikë përqindje), shërbimeve (+7.9 pikë përqindje) dhe tregtisë (+6.6 pikë përqindje).Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve shënoi rritje në sektorët e shërbimeve (+0.5 pikë përqindje, në nivelin 82%) dhe tregtisë (+0.3 pikë përqindje, në nivelin 77%). Ndërkohë, në sektorin e ndërtimit ky tregues mbeti i pandryshuar në vlerën 76%. Ky tregues rezultoi lehtësisht me rënie në sektorin e industrisë (-0.4 pikë përqindje, duke zbritur në 81.3%).