Për të dytin muaj radhazi, inflacioni në Eurozonë u ul, duke zbritur në nivelin e 5.5% gjatë qershorit. Të dhënat e Agjencisë Europiane të Statistikave tregojnë se rritja vjetore e çmimeve mbetet më e lartë të ushqimet, ndërsa zbulon një tjetër problem. Inflacioni bazë që përjashton produktet ushqimore dhe energjinë u rrit lehtë këtë muaj, duke treguar se kriza është ende larg të përfunduarit.
Siç kishte deklaruar edhe presidentja e Bankës Qendrore Europiane Christine Lagarde, është ende herët për të shpallur fitoren mbi rritjen e çmimeve. Institucioni që ajo drejton rriti sërish normën bazë të interesit në Qershor dhe planifikon një tjetër rritje në Korrik. Plani për të shtrenjtuar kredimarrjen është kritikuar nga kryeministrja italiane Meloni, që e konsideron këtë recetë, një ilaç më të keq se sa sëmundja.
Rënia graduale e çmimeve në Europë ka një ndikim edhe tek inflacioni në vendin tonë, por në një masë të vogël, pasi tashmë rritja e çmimeve në Shqipëri ndikohet më së shumti nga faktorë të brendshëm. Por një dobësim i mundshëm i partnerëve tregtarë si Italia, mund të ketë një ndikim më të madh në ekonominë tonë, veçanërisht për eksportuesit që po vuajnë edhe kostot e rënies së euros.