Ashtu siç ishte paralajmëruar, zhvlerësimi i euros ka goditur eksportet shqiptare. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se në maj eksportet tona arritën në 40 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 11.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo edhe pse kundrejt prillit, ka pasur një rritje prej 16.8%.
Nga ana tjetër, importet regjistrohen në rritje, edhe pse modeste, me 1.2% gjatë majit, për një vlerë prej 81 miliardë lekësh në total. Krahasuar me prillin, importet janë rritur me 7.7%. Rënia e eksporteve dhe rritje e importeve ka sjellë rrjedhimisht edhe rritjen e deficitit tregtar, me 17.8% gjatë muajit të kaluar.
Gjatë Majit, në uljen e eksporteve me 11.7%, kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me 10.4 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 7.1 pikë përqindje dhe “Prodhime druri dhe letre” me 0.6 pikë përqindje. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Ushqime, pije, duhan” me 2.9 pikë përqindje dhe “Tekstile dhe këpucë” me 1.0 pikë përqindje.
Sa i përket importeve dhe ndikimit të grupeve në rritjen vjetore me 1.2% në vlerë, shifrat tregojnë se kontributin më të madh e ka dhënë vetëm një grup; “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 4.8 pikë përqindje. Ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -1.2 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me 0.8 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me 0.5 pikë përqindje.
Ndërkohë që eksportet janë dëmtuar nga forcimi i lekut, për importet vlen e kundërta. Paçka se janë rritur me vetëm 1.2% në terma vjetorë, kjo shifër i referohet ndryshimit në vlerë monetare, pasi në peshë, importet janë rritur me plot 22%, çka tregon qartë efektin pozitiv të forcimit të lekut për importet. Madje, edhe më e theksuar duket kjo tendencë për produkte të cilat vlen drejtpërdrejtë përllogaritja në peshë, si psh hidrokarburet. Importet e këtyre të fundit në maj të këtij viti kanë qenë 22% më të larta në peshë krahasuar me majin e vitit 2022, ndërkohë që në vlerë rezultojnë në rënie me 8.5%.
E njëjta logjikë vlen edhe për eksportet. Këto të fundit gjatë majit kanë rënë me 11.7% në vlerë, por janë rritur me 0.2% në peshë. Kjo tendencë është më shumë e theksuar për materialet e ndërtimit dhe lëndët djegëse minerale. Pra, Shqipëria ka eksportuar më shumë produkte se një vit më parë, por ka përfituar 11.7% më pak para nga këto produkte. Ky është muaji i tretë me radhë në rënie për eksportet.
Në drejtim të gjeografisë së tregtisë së jashtme, shifrat tregojnë se, rënien më të madhe të eksporteve e regjistrojnë: Italia me 11.7%, Gjermania me 31.2% dhe Maqedonia e Veriut me 19%, mes vendeve partnere. Rritje ndërkohë shënon: Kosova me 23.6%, Spanja me 331% dhe Greqia me 2.8%. Në drejtim të importeve, Kina, Greqia dhe Gjermania regjistrojnë rritjen më të madhe, dhe Italia, Turqia dhe Maqedonia e Veriut, rënien më të madhe.