Sot në të gjithë vendin do të votohet për kryetarët e bashkive. Votimi ka nisur në ora 07.00 dhe do të zgjasë deri më 19.00. Qytetarët do të zgjedhin nëpërmjet votës drejtuesit e 61 njësive bashkiake në të gjithë vendin. Paralelisht, do të votohet edhe për 1,603 anëtarë të Këshillave Bashkiakë.
Në garë për këto poste zyrtarisht janë 145 kandidatë për kryetarë dhe 23,646 kandidatë për këshilltarë.
Sipas listave zyrtare, në këto zgjedhje rreth 3.65 milionë shqiptarë janë ftuar të hedhin votën, por burime të rezervuara pohuan se një census pilot që ushtroi INSTAT vitin e kaluar verifikoi se popullsia banuese në vend nuk është më shumë se 2.4 milionë banorë.
Ndërkohë sondazhet pranë partive politike tregojnë për përkeqësim të mëtejshëm të popullsisë banuese në vend.
Sipas të dhënave zyrtare në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 ishin në listat e votimit 3,588,860 persona, por morën pjesë në votime vetëm 1,661,212 ose më pak se gjysma.
Risia këtë vit do të jetë pilotimi i pajisjeve elektronike për numërimin e votave. Për votuesit e Bashkisë Elbasan, Kamzë dhe Vorë numërimi do të bëhet elektronik dhe rezultatet do të jepen në kohë reale.
KQZ deklaroi se që pajisja elektronike e votimit është 100% e sigurte dhe fshehtësia e votës së tyre është e pacenueshme.
Votuesi sot ka në duar dy fletë: një për kryetarin e bashkisë dhe një për këshillin bashkiak.
Për të votuar në mënyrë të vlefshme, zgjedhësi duhet të shënojë me X ose + përbri në kutinë e bardhë anash emrit të kandidatit për fletën e kryetarit të bashkisë dhe anash emrit të partisë për fletën e këshillit bashkiak.
Në zgjedhjet vendore të vitit 2019, opozita shqiptare bojkotoi zgjedhjet duke bërë që socialistët të garonin të vetëm në 31 bashki. Vetëm Shkodra dhe Finiqi u fituan nga kandidatët e opozitës, ndërsa të gjithë kryetarët e tjerë dolën nga Partia Socialiste.
Sipas shifrave zyrtare, pjesëmarrja ishte 22,97% ose 812,249 persona. Opozita deklaroi se sipas përllogaritjeve të tyre pjesëmarrja ka qenë 15.12%.