Nga Aurora Sulce, drejtuese e Fast News Economy
Fushata zgjedhore pritet të çelet zyrtarisht këtë javë, teksa partitë politike që garojnë në këto zgjedhje kanë nisur të shpalosin premtimet e tyre. Ajo që vihet re në premtimet e kandidatëve të mazhorancës dhe opozitës është një ofertë politike thuajse e njëjtë, e cila konsiston kryesisht në rritje pagash e pensionesh.
“Frymëzuar” nga kriza e çmimeve dhe ndjeshmëria financiare e votuesve, partitë po premtojnë gjithçka që rrit mirëqënien e votuesve, edhe pse kjo nuk ka të bëjë fare me zgjedhjet vendore, që synojnë të nxjerrin drejtuesit që do të menaxhojnë qytetet. Socialistët kanë nisur në mënyrë “agresive” programin e rritjes së pagave në 900 euro në administratën publike, më herë rritjen e pagës minimale në 40 mijë lekë, si dhe bonusin 5 mijë lekë për pensionistët. Qeveria deklaron se kjo nuk ka lidhje me zgjedhjet.
Pyetje që lindin natyrshëm
Pse qeveria nuk e bëri më përpara rritjen e pagave, në kushtet kur ka në pushtet që në vitin 2013? Edhe në rastin kur tani u krijuan mundësitë, a nuk mund të priste qershorin për të nisin zbatimin, pasi zgjedhjet të kishin përfunduar?
Nga ana tjetër, edhe koalicioni “Bashkë fitojmë” i Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë premton rritje të pagave, dyfishim të pensioneve dhe skemës së ndihmës ekonomike. Si mundet opozita të rrisë pagat, kur kjo është kompetencë e qeverisë? Cfarë lidhje ka rritja e pagave apo pensioneve me zgjedhjet për bashkitë?
Këto pyetje retorike, si për mazhorancës, ashtu edhe opozitën tregojnë qartë se partitë kanë hapur “thesin” e premtimeve dhe karameleve elektorale, duke përsëritur atë sjellje që kanë bërë në mënyrë të vazhdueshme në të gjitha zgjedhjet që pas vitit ”90. Dhe kjo sjellje dëshmohet edhe në disa tregues të tjerë.
Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se investimet publike këtë vit janë parashikuar në 122,2 miliardë lekë, me rritje 10,1 miliardë lekë kundrejt vitit të kaluar. Investimet publike kanë qenë të larta në çdo vit zgjedhor dhe kjo praktikë është ndjekur nga të gjitha qeveritë.
Rritje këtë vit kanë pësuar edhe shpenzimet për pushtetin vendor. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, për bashkitë janë parashikuar këtë vit 65,5 miliardë lekë, me rritje 6,9 miliardë lekë kundrejt vitit të kaluar. Këto fonde përkthehen në asfalte elektorale, që synojnë t’i bindin njerëzit për një qeverisje të suksesshme që kujdeset për standardin dhe cilësinë e tyre të jetesës.
A kanë një faturë financiare këto premtime?
Asnjëra nga partitë apo kandidatët e tyre nuk i ka shoqëruar premtimet me një faturë financiare apo të zbardhë mënyrat se ku do të gjendjen paratë për financimin e tyre. Shifra e vetme e dhënë deri më tani nga qeveria është 38 miliardë lekë për rritjen e pagave, por projektligji i detajuar, me burimet e gjenerimit të këtyre të ardhurave ende nuk është bërë publik. Ndërkohë nuk ka faturë për premtimet e tjera të socialistëve, ndërkohë që fatura mungon tërësisht për të gjitha premtimet e opozitës.
Shoqërimi i çdo premtimi elektoral me koston financiare përkatëse, me burimet e gjenerimit të të ardhurave që duheshin dhe me efektin tek qytetarët, do t’i bënte të besueshme dhe mbi të gjitha të realizueshme premtimet, gjë që deri më tani nuk e kemi.
A janë premtimet në përputhje me gjendjen e bashkive?
Duket qartazi që premtimet e kandidatëve nuk kanë lidhje me situatën e bashkive. Në vitin 2015 në fuqi hyri reformë territoriale administrative, e cila synonte mirëmenaxhimin e pushtetit vendor dhe decentralizimin. Tetë vite më vonë, këto objektiva nuk janë arritur.
Sipas të dhënave të portalit www.financatvendore, publikuar nga Co-Plan dhe Ministria e Financave, bashkitë kanë ende borxhe në vlerën e 6.6 miliardë lekëve nga 12.1 miliardë që kishin në 2015. Por një pjesë e tyre, jo vetëm që nuk kanë arritur të shlyejnë detyrimet e vjetra, por përkundrazi, kanë krijuar të reja. Vitin e kaluar, bashkia e Kavajës dhe Vorës kaluan nën administrimin e qeverisë qendrore nëpërmjet një administratori të komanduar, për arsye se borxhet e tyre i kaluan 90% të totalit të shpenzimeve.
Kjo do të thotë se nëse do të ishin kompani private do të kishin falimentuar. 5 bashki të tjera, që janë Roskoveci, Policani, Cërriku, Malësia e Madhe dhe Belshi janë në vështirësi serioze financiare. Ndërkohë sipas vlerësimeve zyrtare, probleme financiare kanë edhe 14 bashki të tjera. Pra, aktualisht më shumë se 1 e treta e pushtetit vendor nuk e menaxhon dot veten.
Asnjë nga kandidatët apo partitë në garë nuk ka prezantuar deri më tani një analizë të thelluar lidhur me gjendjen e bashkisë ku kandidon apo një plan për shlyerjen e detyrimeve apo problemeve specifike që nuk mund të ketë zona. Kjo do t’i bënte këta kandidatë jo vetëm të besueshëm politikisht, por edhe si menaxherë të ardhshëm të qyteteve tona.