Gjermania synon të lejojë në të ardhmen mbi 50 mijë punëtorë të pakualifikuar nga Ballkani Perëndimor për të punuar në Gjermani. Këtë e miratoi qeveria gjermane të mërkurën në kuader të projektligjit të ri të emigrimit të fuqisë punëtore.
Ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil, tha në konferencën e shtypit në Berlin se ky kontingjent do të dyfishohet nga 25.000 që është aktualisht në maksimumi 50 mijë vetë në vit por ministri shtoi se ka plane që kjo rregullore të zgjerohet edhe për vende të tjera.
Rregullorja e Ballkanit Perëndimor ekziston që nga viti 2015 dhe u mundëson shtetasve të gjashtë vendeve të BP (Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia) qasje të privilegjuar në tregun gjerman të punës, pavarësisht nga kualifikimi që kanë.
Parakusht për të marrë vizën e punës është një kontratë pune e rregullt në Gjermani. Nuk nevojiten as njohuri të veçanta të gjuhës gjermane. Rregullorja e Ballkanit Perëndimor është në fuqi deri në fund të vitit 2023, por në draftin e ri të ligjit të migracionit është parashikuar që ajo të bëhet pa afat.
Por drafti i prezantuar nga Ministri gjerman i Punës dhe Çështjeve Sociale Hubertus Heil dhe ministrja e Brendshme Nancy Faser përmban edhe risi të tjera. Sipas ministrit Heil të huajve nga vendet e treta do t’u ofrohen tri mënyra për të ardhur në Gjermani: nëpërmjet kualifikimit, përvojës së punës dhe sistemit të pikëve. E para ekzistonte edhe me parë, në ligjin e migracionit të fuqisë së kualifikuar, që kishte hyrë në fuqi para pandemisë. Por drafti i ri i koalicionit të qendrës së majtë ka bërë disa lehtësime:
- Është ulur paga minimale vjetore që nevojitet për të marrë kartat blu: Për momentin ajo është 49.581 euro, duke përbërë kështu 1,25-fishin e pagës vjetore mesatare bruto në Gjermani. Për të rinj dhe me më pak përvojë madje nën 40 mijë euro.
- Kush ka mbaruar një shkollë të lartë ose një shollë profesionale prej së paku dyvjeçare, ka të drejtë të vijë për të kërkuar punë në Gjermani, edhe pa e bërë njohjen e kualifikimit qysh në vendlindje. Procedura e njohjes së kualifikimeve ka qenë një nga pengesat kryesore të deritanishme për ardhjen e fuqisë punëtore të kualifikuar në Gjermani.
- Personave të kualifikuar do t’u lejohet të punojnë në çfarëdo profesioni, pavarësisht nga kualifikimi që kanë.
- Si kualifikim do të quhet jo vetëm kualifikimi arsimor, Edhe përvoja e punës do të luajë rol në njohjen e kualifikimit.
Por risia kryesore e këtij ligji, ajo që i bën krenarë dy ministrat socialdemokratë që prezantuan draftin, është sistemi i pikëve, ose Karta e Shanseve (Chancenkarte). Ngjashëm me sistemin kanadez të migrimit, Karta e Shanseve jep mundësi migrimi në Gjermani edhe në bazë të një sistemi pikësh bazuar në katër kritere: njohja e gjuhës, përvoja profesionale, mosha dhe lidhja me Gjermaninë.
Sipas draftit, mjaftojnë gjashtë pikë për të marrë një vizë njëvjeçare dhe për të kërkuar punë në Gjermani. Si mund të mblidhen ato?
- Katër pikë për një kualifikim profesional.
- Tri pikë për përvojën e punës
- Tre pikë për njohuri të mira të gjermanishtes.
- Dy pikë për njohuri të mjaftueshme të gjermanishtes
- Dy pikë për moshën e re (nën 35-vjeçare)
- Dy pikë për përvojë pune deri dy vjet.
- Një pikë për lidhjet me Gjermaninë, pra, nëse ke qëndruar më parë në Gjermani për së paku gjashtë muaj.
Projektligji i ri është pjesë e një strategjie të re të qeverisë për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore, e cila tani po shqyrtohet nga komisionet përkatëse në Bundestag. Ai parashikon përveç shfrytëzimit te potencialit të fuqisë punëtore brenda vendit, duke rritur ofertat e trajnimeve profesionale për të rinjtë që lënë shkollën, përmirësuar kushtet e punës për nënat me fëmijë, apo duke rritur shanset për punësimin e refugjatëve apo azilkërkuesve të refuzuar.
Në një studim i Dhomave të Tregtisë dhe të Industrisë që u prezantua në mes të janarit në Berlin, Gjermania që tani ka 2 milionë vende pune të pazëna. Nga kjo mungesë punëtorësh ekonomia më e madhe e Europës ka 100 miliardë euro më pak të ardhura kombëtare në vit. Situata përkeqësohet nga viti në vit:
Sipas projektligjit të ri të migracionit, përllogaritet që në bazë të këtyre ndryshimeve në Gjermani të vijnë mesatarisht deri në 75.000 vetë si fuqi punëtore e kualifikuar në vit. Këtyre u shtohet edhe kontingjenti i Ballkanit Perëndimor, me 50 mijë punëtorë në vit. Për shumë ekspertë kjo shifër nuk i plotëson aspak nevojat e Gjermanisë për fuqi punëtore, Ekspertët përllogarisin se Gjermanisë i duhen 400.000 emigrantë të kualifikuar në vit.