Cmimi i karburanteve ndryshon sërish. Bordi i Transparencës ka dalë me një vendim të ri, që shtrenjton naftën dhe benzinën. Sipas këtij vendimi, nafta do të shitet me 187 lekë për litër, nga 182 lekë që ishte më parë.
Gjithashtu, edhe benzina ka shënuar një rritje më të lehtë dhe do të tregtohet me 185 lekë/litër, nga 182 lekë që ishte deri tani. Një rirtje të lehtë çmimi i naftës ka pësuar edhe në tregjet ndërkombëtare, ku aktualisht ari i zi tregtohet me 77 dollarë për fuçi.
Njoftimi i plotë i Bordit të Transparencës:
Vendimet e Bordit të Transparencës në datë 23 Mars 2023 kanë ndryshime të çmimit nga ai i përcaktuar në mbledhjen e fundit.
Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 22.03.2023, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 850, +75 nga data 15.03.2023, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 760, +39 nga data 15.03.2023, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar zbritje në 106.63 (-1.65 nga data 15.03.2023).
Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë :
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 187 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 175 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 185 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 173 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 75 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 63 lekë/litër për automjetet.
Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 93 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 23 Mars ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës.