Deputetja Rudina Hajdari ka vijuar sulmet e saj kundër kreut të PD-së, Lulzim Basha.
Në një intervistë për Repolitix në Report Tv, deputetja demokrate shprehet se Lulzim Basha tashmë e ka humbur kontrollin mbi partinë dhe se kryebashkiakët e djathtë shumë shpejt mund t’i dalin kundër.
Sipas saj nuk mund të përjashtohen edhe përplasjet në ditët në vijim, por shtoi se kryetarët e djathtë të bashkive nuk mund të sillen si gangsterë.
Për vendimin e kryebashkiakëve të PD-së u shpreh: “Është një situatë që i ka dalë jashtë kontrollit. Kryetari i PD nuk është në gjendje të shikojë dhe të gjejë një zgjidhje për këta kryetar bashkie që refuzojnë të largohen nga zyrat e tyre. Mendoj se kjo do të sillte përplasje. E shikoj që kjo do ndodhë, sepse shumë njerëz të thjeshtë do të humbin njerëzit e punës, dhe këtë gjë nuk mund ta ndalojë dot asnjë njeri. Zgjedhjet dolën, u certifikuan deri diku dhe do të ketë një zëvendësim të kryetarëve të bashkive, dhe detyrimisht këta që kanë qenë do zëvendësohen me të rinjtë që fituan në zgjedhjet e 30 qershorit. Unë e shikoj të pashmangshme. Është e kotë të themi që nuk i njohim këto zgjedhje. Nuk është në tagrin e këtyre kryebashkiakëve, nuk mund të bëjnë rolin e gangsterëve. Mendoj se zoti Basha ndodhet në situatë të vështirë”.