Dallëndyshe Bici është prezantuar zyrtarisht si drejtoresha e re e Kadastrës, pas dorë heqjes së Artan Lame.
Në një takim të posaçëm me drejtues dhe punonjës së kësaj Agjencie, Kryeministri Rama prezantoi këtë ndryshim, teksa theksoi se është koha për një shtysë të re dhe për të hyrë në një fazë përmbyllëse me një ritëm tjetër të gjithë këtij procesi, i cili në fund duhet të garantojë stabilitet të plotë të pronës, stabilitet të plotë të marrëdhënies së pronës, stabilitet të plotë mes marrëdhënies së qytetarëve dhe shtetit në aspektin e pronës.
Gjatë prezantimit të saj, kryeministri Rama ka bërë thirrje për të përmbyllur përfundimisht të gjitha rrugët e kontakteve të drejtpërdrejta mes qytetarëve dhe Kadastrës.
“Sot kemi një bazë nga e cila mund të shkojmë me shpejtësi më tutje, që është teknologjia dhe proceset teknologjike të nisura edhe në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës na kanë dhënë mundësinë që të shërbejmë për qytetarët pa radha dhe që qytetarët ta kërkojnë shërbimin nga Kadastra online, por jemi në kushtet kur cikli mbetet i hapur sepse në ndërkohë pjesa e përgjigjeve jepet ende me letër dhe kërkon ende postën, kërkon ende të tjera komponentë në mes, që praktikisht janë dhe pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes përfundimtare.
Në këtë fazë na duhen hapa të shpejtë dhe na duhen zgjidhje radikale për të mbyllur procesin. Që do të thotë është koha për t’i mbyllur pa asnjë diskutim dhe pa asnjë ekuivok të gjitha rrugët e kontaktet e drejtpërdrejta mes qytetarëve dhe Kadastrës”, deklaroi Rama.
Për të arritur një gjë të tillë, kryeministri tha se duhet një bashkëpunim i ngushtë me Kadastrës dhe AKSHI-t, që procesi të marrë një tjetër vrull e të hyjë në një tjetër fazë.
Për digjiitalizimin e plotë të pronave dhe hartave, Rama tha se do të futen në punë edhe shërbimet satelitore përmes satelitëve Albania 1 e Albania 2.