Në një intervistë për emisionin A2 Business të gazetares Aurora Sulçe, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj u shpreh se pavarësisht rritjes që nis nga 1 prilli të pagës minimale me 4 mijë lekë, synimet janë që deri në vitin 2025, ajo të shkojë në 45 000 lekë.
“Qeveria ka aplikuar një politikë të rritjes së pagës minimale. Masa e rritjes së pagës gjatë vitit 2022 ishte 4 mijë lekë. Ne kemi bërë studime, analiza. Ne kemi vlerësuar se një rritje e qenësishme e pagës minimale do të ndikojë te pagamarrësit. Kjo është një rritje që shkon në linjë me rritjen e ekonomisë së vendit. Para marrjes së këtij vendimi, ne jemi konsultuar edhe me grupet e interesit.
Ne morëm masën për rritje nga data 1 prill me 6 mijë lekë, nga 34 mijë lekë në 40 mijë lekë, por kjo nuk do të jetë një rritje që do të bëhet vetëm këtë vit. Edhe vitin e ardhshëm do të aplikojmë një rritje të pagës minimale. Brenda vitit 2025, ne synojmë që paga minimale të shkojë në nivelin 45 mijë lekë”, tha Ibrahimaj.
A do të ketë një reaksion zinxhir rritja e pagës minimale?
“Rritja e vitit të kaluar prej 4 mijë lekësh të pagës minimale ka ndikuar në rritjen e pagës mesatare në përgjithësi. Gjatë 9 mujorit të parë të vitit të kaluar, paga mesatare është rritur me 6 mijë lekë. Kërkesa e punëmarrësve për ato kategori që janë afër pagës minimale do të rritet. Rritja me 6 mijë lekë do të ndikojë në treg për të rritur edhe pagën mesatare”.
A pritet të ketë shkurtime të vendeve të punës?
“Ne nuk gjykojmë të ketë shkurtim të vendeve të punës, duke u mbështetur tek të gjithë treguesit sepse kërkesa për punë është shumë më e lartë se oferta për punë. Ky është një faktor që ka ndikuar në rritjen e pagave gjatë viteve të kaluara. Biznesi ka gjithmonë një kërkesë të lartë për të rritur prodhimin, por ka mungesë të fuqisë punëtore. Ne nuk gjykojmë që në makro do të ketë ulje të vendeve të punës ndikuar nga kjo masë”.
Rritja e pagës minimale po ndodh para zgjedhjeve vendore. A është elektorale një nismë e tillë?
“Prej vitesh, në datën 1 prill ne marrim vendim për pagën minimale. Masa e rritjes vjen si pasojë e situatës që ne jemi duke kaluar. Ne duhet të kujdesemi që familjet shqiptare të ndikohen sa më pak nga rritja e kostos së jetesës. Me këtë rritje, ne do të kalojmë të tretët në rajon për nivelin e pagën minimale. Ne gjykojmë si domosdoshmëri rritjen e pagës minimale, jo për qëllime elektorale dhe politika jonë është e shtrirë në 3 vite. Ne duhet të bëjmë patjetër një ndërhyrje në nivelin e pagave në Shqipëri”.