Qeveria shqiptare do të forcojë kontrollet sa i takon kalimit të parave CASH në pikat kufitare, metaleve apo gurëve të çmuar. Në projektaktet e qeverisë parashikohet që gjatë këtij viti të miratohet vendimi i cili synon të trajtojë paqartësitë që kanë dalë pas hyrjes në fuqi të këtij ligjit “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” të miratuar në vitin 2019, duke përcaktuar rregulla të hollësishme për mënyrën e zbatimit të tij dhe në veçanti procedurat për vendosjen e masave administrative nga autoritetet doganore.
Konkretisht projektvendimi synon rritjen e kontrollit të lëvizjes së parasë Cash/metaleve dhe gurëve të çmuar si dhe çdo instrumenti monetar objekt i deklarimit në Pikat e Kalimit Kufitar, zvogëlimin e rreziqeve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit nëpërmjet politikave, koordinimit dhe bashkëpunimit dhe rritjen e kontrollit me vendosjen për herë të parë të gjobave për mosdeklarim vlerash në pilkat kufitare; zbulimin dhe goditjen e kërcënimeve për pastrimin e parave/ financimin e terrorizmit, si dhe dënimi zhveshja e autorëve nga përfitimet e paligjshme. Sipas ligjit në fuqi, “çdo person, i cili hyn në/ose largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë, është i detyruar të deklarojë shumat në të holla, çdo lloj instrumenti të negociueshëm të mbajtësit, metalet ose gurët e çmuar, sendet me vlerë dhe objektet antike, duke filluar nga shuma 10 000 euro ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera, qëllimin e mbajtjes së tyre, si dhe të paraqesë dokumente justifikuese përkatëse.
Detyrimin për deklarim, përfshin lëvizjen me çfarëdolloj mjeti transporti në rrugë tokësore, ajrore ose detare apo dhe nëpërmjet shërbimit postar. Në rast kur autoritetet doganore konstatojnë mosdeklarimin, vendosin gjobë, e cila për herën e parë është në varësi të shumës së padeklaruar është në shumë fikse, dhe për raste të përsëritura do të përllogaritet si përqindje ndaj vlerës së padeklaruar. Konkretisht për shumat nga 10.000 -19.999 euro ose kundërvlerën e tyre në monedha të tjera të huaja, gjoba është në shumën 20 mijë lekë për herën e parë, 10 % të vlerës së padeklaruar për herën e dytë, si dhe 30 % të vlerës së padeklaruar për rastet e tjera; për shumat nga 20 000 – 49 999 euro gjoba e aplikuar është në shumën 40 mijë lekë për herën e parë, 20 % të vlerës së padeklaruar për herën e dytë, si dhe 40 % të vlerës së padeklaruar për rastet e tjera; për shumat mbi 50 000 euro gjoba është në shumën 60 mijë lekë për herën e parë, 30 % të vlerës së padeklaruar për herën e dytë, si dhe 50 % të vlerës së padeklaruar për rastet e tjera./ TV Scan
Gjobat aplikohen për mosdeklarim në kufi
Vlera e padeklaruar Masa e gjobës fillestare Përsëritja e shkeljes
10.000 -19.999 euro 20 mijë lekë 10-30 % e vlerës së fshehur
20 000 – 49 999 euro 40 mijë lekë 20-40 % e vlerës së fshehur
Mbi 50 000 euro 60 mijë lekë 30-40 % e vlerës së fshehur