Kadastra do të rregullojë të gjitha gabimet që janë bërë me mospërputhjet e hartave kadastrale me terrenin. Qeveria ka nxjerrë një vendim që përcakton procedurat dhe rregullat për korrigjimet për përmirësimin e pasaktësive, gabimeve dhe pozicionin faktik të pasurive.
Përmirësimi i regjistrit kadastral kryhet në rastet kur hasen një prej 7 problemeve të mëposhtme: së pari të dhënat e pasurive të pasqyruara gjatë regjistrimit fillestar nuk përputhen me aktet e fitimit të pronësisë dhe dokumentacionin që lidhet me to; së dyti kur pozicioni gjeografik i pasurive, i pasqyruar në hartën kadastrale, nuk përputhet me pozicionin faktik në terren, sipas aktit të fitimit të pronësisë; së treti në rastet kur brenda zonës/bllokut kadastral konstatohen pasuri të cilat nuk janë të pasqyruara në regjistrin kadastral; së katërti në rastet kur gjatë regjistrimit fillestar, rezultojnë të dhëna për pasuri të paluajtshme në regjistra kadastralë, por të papasqyruara në hartë kadastrale ose anasjelltas, pra për pasurinë nuk është krijuar lidhja midis kartelës dhe hartës kadastrale; së pesti kur pozicioni i kufirit të zonës kadastrale, i pasqyruar në hartën kadastrale, nuk përputhet me pozicionin faktik në terren; së gjashti kur konstatohet mospërputhje e pozicionit, konfigurimit dhe sasisë së sipërfaqes së pasurisë “ndërtesë”, sipas parashikimeve të nenit 39, të ligjit nr. 111/2018, “Për kadastrën”.
Përmirësimi për rastet kur kemi të bëjmë me sasi të sipërfaqes së ndërtesës së regjistruar, kryhet për jo më shumë se për 10% të sipërfaqes së ndërtesave, të ndërtuara deri në vitin 1993, me kushtin që në ndërtesë të mos jenë kryer zhvillime ndërtimore pa leje. ASHK-ja në këtë rast nuk plotëson me titull pronësie për këtë sipërfaqe palën e interesuar, por vetëm korrigjon të dhënat e sipërfaqes në regjistrat kadastralë; dhe se fundmi në rastet kur konstatohet mospërputhje e sipërfaqes, pozicionimit të pasurisë “tokë”, sipas parashikimeve të nenit 38, të ligjit nr. 111/2018, “Për kadastrën”.