Kryeministri Rama ka marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të titullit Doctor Honoris Causa, kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç. Në një status në facebook Rama ka vlerësuar figurën e Abazoviç dhe librin e tij “Kritika e Etikës Globale”.
“Kënaqësi pjesëmarrja sot në ceremoninë e dorëzimit të titullit Doctor Honoris Causa, kryeministrit Dritan Abazoviç dhe privilegj mundësia për të thënë disa fjalë rreth librit të tij, “Kritika e Etikës Globale”, i cili është një pasqyrë e dobishme për të kuptuar rrënjët e një fenomeni unikal politik si themeluesi i lëvizjes URA. Urime të përzemërta, me admirim”, shkruan Rama në facebook.
Propozomi për dhënien e titullit Doctor Honoris Causa, kryeministrit Abazoviç u bë nga Presidenti i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Akademik, Prof. Dok, Anastas Angjeli në Senatin Akademik të UMSH, i cili vendosi unanimisht akordimin e tij. Kjo me motivacionin: Për kontribut të shquar në promovimin e bashkëjetesës dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve të ndryshme në Republikën e Malit të Zi, promovimin e multikulturalizmit dhe ndërtimin e instrumenteve të përbashkët për zhvillimin dhe ruajtjen e paqes e dialogut në rajon, në funksion të integrimit të tij në Bashkimin Europian. Pas dhënies së titullit, ceremonia vijoi me promovimin e librit të tij “Kritika e Etikës Globale”.