Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, i akordoi titullin “Doctor Honoris Causa”, Dr. Dritan Abazović, Kryeministër i Malit të Zi. Në ceremoninë e organzuar, ishin të ftuar Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, Evis Kushi, Ministrja e Punëve të Jashtme Olta Xhacka, personalitete të njohur të politikës, drejtues të lartë shtetërorë e ambasadorë.
Me motviacionin : Për kontribut të shquar në promovimin e bashkëjetesës dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve të ndryshme në Republikën e Malit të Zi, promovimin e multikulturalizmit dhe ndërtimin e instrumentave të përbashkët për zhvillimin dhe ruajtjen e paqes e dialogut në rajon, në funksion të integrimit të tij në Bashkimin Europian, Presidenti i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Akademik, Prof.Dok, Anastas Angjeli propozoi dhënien e këtij titulli në Senatin Akademik të UMSH, i cili vendosi unanimisht akordimin e tij.
“Kontributi i Dr Abazovic, në procesin e integrimit evropian është i një rëndësie të veçantë. Kjo, si rrjedhojë e formimit të tij evropian, dhe e bindjes së tij të drejtë se integrimi evropian është një proces i domosdoshëm, jetësor, jo vetëm për Malin e Zi, por për të gjithë rajonin. Padyshim që Dritan Abazović është simboli i njeriut evropian për të cilin gjithë rajoni ynë ka nevojë”, u shpreh Angjeli në fjalën e tij. Ai shtoi se duke mbështetur bashkëjetesën ndër-etnike në një vend me dinamika sfiduese si Mali i Zi dhe perspektivën integruese jo vetëm të vendit te tij, Dr. Abazović ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuojë për një të tashme dhe të ardhme evropiane, paqësorë dhe të begatë për të gjithë rajonin tonë.
Rekomandimi i dytë për dhënien e titullit u bë nga Rektori i Universitetit Mesdhetar, Adrian Civici. “E vlerësoj si nder dhe kënaqësi të vecantë mundësinë, që në emër të Senatit Akademik të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë të vlerësoj dhe rekomandoj dhënien e titullit Doctor Honoris Causa një personaliteti politik, akademik e shkencor, një aktivisti të shquar social, Kryeministrit të Malit të Zi, Z.Dritan Abazovic”, tha Civici.
Në fjalën e tij, Kryeministri i Malit të Zi, shprehu falenderimet më të sinqerta për këtë titull.Pas dhënies së titullit, ceremonia vijoi me promovimin e librit “Kritika e Etikës Globale”,me autor Dritan Abasović, një libër tejet i arrirë që ju vjen në ndihmë politikanëve të njohin në mënyrë të strukturuar etikën në epokën globale, duke ndarë të mirën dhe të keqen në vlerat morale të shoqërisë globale.
Kryeministri, Edi Rama në fjalën e tij, vlerësoi figurën e homologut Abazović, para së gjithash si poltikan. “E kam privilegj ta kem mik, Dritan Abazović, i cili sipas meje është një fenomen në Poltikën Ballkanike. Fenomen krejt i veçantë dhe i pakrahasueshëm me askënd tjetër. Sepse falë veprimit ka arritur të guxojë në krijimin e një lëvizjeje poltike e cila është përtej etnike, e cila ka synuar me sukses krijimin e një hapsire ku pavarësisht përkatësisë etnike, njerëzit të bashkohen si qytetarë, qytetarë të të njejtit vend”, u shpreh Kryeministri, Edi Rama.
Në vijim, për librin recensuan edhe dy profesorë të Universitetit Mesdhetar, Përparim Kabo dhe Arben Cici. Sipas tyre ky libër gjithashtu u vjen në ndihmë intelektualëve të rinj, ku autori , nga koncepti i globalizmit hidhet në format logjike që ky koncept merrr kur shfaqet në të gjitha format e shoqërisë. Ky libër u vlerësua si një arritje intelektuale e pakapërcyeshme dhe një kontribut dhe urë lidhëse për lexuesin shqiptar kudo në Ballkan, duke reflektuar për globalizmin. Ky libër është botuar në shqip nga shtëpia botuese “Nazarko”.