Këshilli i Ministrave ka ndryshuar rregullat dhe procedurat e trajtimit të kërkesave për dokumentacion në drejtim të zyrave kadastrale. Përmes një vendimi të publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare, qeveria përcakton se kërkesa për shërbime kadastrale pranohet vetëm on-line, nëpërmjet portalit qeveritar “eAlbania” dhe sistemeve elektronike të regjistruara si baza të të dhënave shtetërore.
Me dërgimin e kërkesës për shërbime kadastrale, ajo regjistrohet në mënyrë automatike në regjistrin elektronik të kërkesave dhe trajtohet nga drejtoria/zyra vendore e ASHK-së, sipas kompetencave të përdoruesve të brendshëm të bazës shtetërore të të dhënave kadastrale (ALBSCAD).
Trajtimi i kërkesave për shërbime kadastrale bëhet në mënyrë kronologjike, dhe llogaritja e afateve për marrjen e këtyre shërbimeve fillon nga e nesërmja e ditës së konfirmimit bankar të pagesës së tarifës së shërbimit.
Për kërkesat për shërbime kadastrale, për të cilat është njoftuar subjekti për kryerjen e pagesës së tarifës së shërbimit dhe nuk është konfirmuar kryerja e saj, ASHK-ja njofton subjektin për mosofrimin e shërbimit.
Në varësi të llojit të shërbimit kadastral, kërkesa shoqërohet me dokumentacionin përkatës tekniko-ligjor. Ky i fundit ngarkohet me nënshkrim elektronik kur përcillet nga institucionet shtetërore dhe si kopje elektronike kur përcillet nga kërkuesi, vetë apo nëpërmjet përfaqësuesit të tij. Kur dokumentacioni shoqërues ngarkohet vetëm si kopje elektronike, ai përcillet edhe nëpërmjet shërbimit postar pranë drejtorisë/zyrës vendore të ASHK-së.
Menjëherë me administrimin e dokumentacionit nëpërmjet shërbimit postar, ai i nënshtrohet digjitalizimit të plotë nga drejtoria/zyra vendore e ASHK-së dhe, vetëm pas këtij procesi, ajo ka të drejtë të trajtojë kërkesën për shërbim kadastral në përputhje me afatet ligjore.
Drejtoritë/zyrat vendore të ASHK-së ofrojnë vetëm në mënyrë digjitale shërbimet kadastrale për të cilat është kryer konfirmimi i pagesës së tarifës, sipas afateve të miratuara.
Kërkesat për shërbime kadastrale paraqiten nga pronari i pasurisë së paluajtshme, titullari i një të drejte reale apo personi fizik/juridik, që ka një interes të ligjshëm mbi një pasuri të paluajtshme, si dhe nga noterët të cilëve u është dhënë kjo e drejtë nga subjektet e interesuara.
Rregullorja e re përcakton se shlyerja e pagesave të tarifave për shërbime kadastrale bëhet në llogarinë bankare të drejtorisë/zyrës vendore përkatëse të ASHK-së, ku kërkohet shërbimi.