Inflacioni shënoi një rekord të ri në tetor, duke dëshmuar se rritja e çmimeve nuk ka të ndalur. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, muajin e kaluar inflacioni shënoi nivelin 8.3%, më i larti që nga periudha e piramidave. Ndërkohë që në tetor të vitit të kaluar, inflacioni ishte 2.4%. Rritja e këtij treguesi vijon, ndonëse me ritme më të ngadalta.
Në rritjen e inflacionit kanë ndikuar kryesisht ushqimet dhe karburanti, që janë edhe produktet që po peshojnë më shumë mbi buxhetet e familjeve shqiptare. Grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rrit në tetor me 5.09%, pasuar nga grupi “Transporti” me 1%. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” u rritën me 0.70 %; çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0.48%.
Në përpjekje për të mbajtur nën kontroll inflacionin, Banka e Shqipërisë ka rritur pesë herë normën bazë në ekonomi, që nga muaji mars i këtij viti. Megjithatë, guvernatori Gent Sejko ka theksuar vazhdimisht në daljet e fumndit publike se inflaiconi do të vijojë të qëndrojë i lartë edhe vitin e ardhshëm, duke kërkuar vëmendje të vazhdueshme për t’u adresuar.