Tronditet kursi I këmbimit. Euro ka zbritur në nivele të pashënuara më parë, ndërsa dollari amerikan ka regjistruar nivelin më të lartë që prej vitit 2017. Sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 116.32 lekë, ndërsa dollari me 120.1 lekë. Zhvlerësimi i ri i euros po ndodh pas përfundimit të sezonit turistik dhe kjo përbën një çudi, pasi është periudha kur kjo monedhë duhet të forcohej. Madje, edhe vetë agjentët e tregut të këmbimit valutor nuk e shpjegojnë dot një ecuri të tillë. Sipas ekspertëve, ajo mund të shpjegohet pjesërisht nga raportet e monedhës europiane me dollarin, në tregjet ndërkombëtare dhe rrjedhimisht edhe në tregun shqiptar. Dollari shënoi sot vlerën prej 120.12 lekësh.
Kjo është vlera më e lartë që monedha amerikane shënon në kursin kundrejt lekut që prej majit të vitit 2017. Dollari amerikan po forcohet gjithnjë e më shumë në tregjet ndërkombëtare dhe sidomos kursi i tij kundrejt euros reflektohet edhe në kursin me lekun.
Agjentët besojnë se ndoshta forcimi i dollarit mund të ketë nxitur një rritje të kërkesës për monedhën amerikane dhe të ketë ulur atë për euro në tregun e brendshëm. KJo për faktin se dollari po perceptohet si monedhë më e forte dhe mund të ndikojë në shitje të euros dhe blerje të monedhës amerikane, që për momentin ngjall më shumë siguri.