Duke filluar nga 1 tetori, familjet që konsumojnë mbi 800 kilovat orë energji në muaj do të paguajnë 42 lekë për kilovat orë. Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar propozimin e Furnizuesit të Shërbimit Universal, pjesë e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë.
“Bazuar në nevojën për të ardhura për shkak te rritjes se kostos së energjisë vlerësojmë se çmimi te jete 42 lekë për kë/h për konsumin familjar mbi 800 kWh në muaj rikuperon koston e blerjes së energjisë duke siguruar likuiditet të nevojshëm për FSHU, për garantimin e furnizimit me energji elektrike. Bëhet e nevojshme që periudha e leximit periodik të matësit duhet të kryhet duke respektuar afatin prej 30 ditë kalendarike për klientët fundorë, me qëllim mbrojtjen e çdo klienti familjar nga çdo keq faturim i mundshëm. Për gjithë sa më sipër, kërkojmë miratimin e çmimit 42 lekë për kë/h orë për konsumin mbi 800 kWh/muaj”, deklaroi përfaqësuesi i FSHU.
Vendosja e fashës dhe rritja e çmimit do të jetë e vlefshme për tre muajt e mbetur të vitit, deri më 31 dhjetor.