Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka paralajmëruar qeverinë se të gjitha skandalet ku janë përfshirë, do të sjellin dhe fundosjen e saj.
Gjatë një takimi me strukturat e Partisë së Lirisë në Durrës, Meta tha se qeveria kërkon të mbijetojë përmes frikësimit të qytetarëve, medias dhe gazetarëve të cilët thjesht kërkojnë që të jenë të barabartë përpara ligjit.
“Të jeni të sigurt që vetëm në aferën e inceneratorëve nuk keni parë gjë akoma, në krye të saj është një njeri, Edi Rama. Nuk shpëton dot duke sakrifikuar bedel pas bedeli. Prandaj nuk mund të pranojmë që Durrësi i atyre traditave të jashtëzakonshme të keqtrajtohet në këtë mënyrë nga një bandë. Që qyteti të jetë nën presionin e të fortëve.
Në plan të parë janë disa kukulla, por pushtetin real e kanë të padukshmit në publik. E dini se sa ka vuajtur Durrësi nga përplasjet dhe rivalitetin e bandave që ushqehen nga përfaqësuesit e qeverisë që trafikojnë interesat e tyre ekonomike dhe elektorale. Kemi një rini të jashtëzakonshme për shkak se kemi dhe një universitet dhe shumë intelektualë dhe studentë që mund të angazhohen.
Skandalet ku është zhytur kjo qeveri do sjellin fundosjen e saj dhe nuk do arrijë të marrë me vete vendin tonë. Një qeveri shpresëvrasëse që kërkon të mbijetojë përmes frikësimit të qytetrëve, mediave, gazetarëve, frikësimit të çdo njeriu që do të jetë i barabartë përpara ligjit. Ndaj edhe njëherë ju falënderoj për përkrahjen. Për të shpëtuar këtë qytet të mrekullueshëm dhe të ardhmen tonë europiane. Do të jemi në mënyrë të vazhdueshme në bisedim, në çdo lagje të Durrësit” – tha Meta.