Vdekja e tregtarit polak të armëve Andrzje Izdebski në Shqipëri ka sjellë tronditje në Poloni, teksa ka dhënë dorëheqjen kreu i Shërbimit Sekret të Jashtëm, Piotr Kraëczyk.
Sipas medias polake Fakt, dorëheqja e tij vjen menjëherë pas vdekjes së tregtarit të armëve. Andrzje Izdebski ishte shpallur në kërkim nga drejtësia polake pasi kërkohej për mashtrimin me 1241 respiratorët, por u gjend i vdekur në Shqipëri,.
“Gjurmimi i tij nuk u bë i mundur dhe kjo ka ngritur dyshimin nëse Shërbimi i Jashtëm Sekret Polak ishte në lartësinë e detyrës” , shkruan media polake. Sa i përket dorëheqjes së Piotr Kraëczyk gazeta i referohet burimeve zyrtare sipas të cilave ai është larguar nga detyra për arsye personale.
Ndërkaq, ish-agjent i Shërbimit Sekret Polak, Grzegorz Małecki ka deklaruar se tregtia e armëve që bënte polaku Izdebski nuk ishte konform ligjit dhe
“Andrzje Izdebski bënte tregtinë e armëve që në shumë raste nuk ishte konform ligjit. Pastaj ai u mor me blerjen e respiratorëve për qeverinë polake. Ai mori një madhe parash. Por, rrethanat se si ai vdiq tregojnë se nuk kishte para. Ndoshta ai e dinte se ku kishin shkuar paratë, por tani me vdekjen e tij vështirë se do ta mësojmë”, është shprehur Malecki.
Mashtrimi 42 milionë eurosh me aparatet respiratore
Gjithçka filloi në pranverën e vitit 2020, në kulmin e pandemisë. Pas njoftimeve për vdekjet masive në Poloni si rezultat i mungesës së respiratorëve, Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar në atë kohë nga Łukasz Szumowski, nënshkroi një kontratë 42 milionë euro me kompaninë Lublin E&K, që mbulonte furnizimin me këto pajisje.
Sipas kontratës, kompania do siguronte mbi 1200 respiratorë të cilësisë së lartë. Kontrata ishte shumë e shtrenjtë, por pajisjet duhet të siguroheshin shpejt. Ministria pagoi një paradhënie të madhe dhe respiratorët e parë do të dorëzoheshin në spitalet polake në prill por kjo gjë nuk ndodhi.
Kur lajmi u bë publik, në qershor, ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Łukasz Szumowski e mohoi duke thënë: “Janë të rreme. Grupi i parë i respiratorëve ka mbërritur në Poloni, grupi tjetër do të arrijë këtë muaj. Këta janë respiratorë nga një prodhues i njohur, me të gjitha garancitë.”
Por shumë shpejt doli e vërteta. Rezultonte se ministria kishte marrë vetëm 200 nga 1241 respiratorë të porositur dhe 418 të tjerë pas skadimit të kontratës.
Këto ishin pajisje pa dokumentacion të duhur, pra të papërdorshme dhe të ndryshme nga ato të porositura.
Respiratorët nuk vinin nga prodhuesi, por nga një ndërmjetës tjetër në … Pakistan. Ndërkohë, u zbulua se kompania E&K ishte në pronësi të Andrzej I., një tregtar armësh me përvojë.
Mediat përcaktuan se ai ishte i përfshirë në tregtinë e paligjshme të armëve dhe OKB-ja e kishte futur në një “listë të zezë” për kontrabandën e armëve në Angola, Liberi e Bali. Madje ka bashkëpunuar me Wiktor But, i njohur si “tregtari i vdekjes”,
Mjaftonte të fusje adresën e kompanisë E&K në Google për të parë se kjo “ndërmarrjeje” nuk ishte një kompani ndërkombëtare, që zbatonte kontrata për qindra milionë euro.
Në pyetjen se pse departamenti bleu respiratorë nga një kompani në pronësi të një tregtari armësh, Ministria e Shëndetësisë u përgjigj: “E &K është një subjekt që funksionon ligjërisht. Ministria nuk kontrollon profilin e biznesit të kompanive që paraqesin oferta për blerjet. Ofertat janë verifikuar gjithmonë në aspektin e përmbushjes së kritereve të kontratës dhe aftësisë së ofertuesit për të ofruar.”
Pas skandalit, ai nuk u ndalua të largohej nga vendi dhe u zhduk, raportojnë mediat polake.
“Zyra e Doganave dhe Taksave të Lublinit, me të cilën po hetojmë, ka vërtetuar se i dyshuari është larguar nga Polonia me rrugë ajrore në dhjetor 2020 dhe pas kësaj kohe nuk ka asnjë gjurmë të hyrjes së tij në vend”, tha prokurori Bartosz Wójcik.
Për të u lëshua urdhër arresti vetëm më 21 mars 2022.Për më shumë se një vit ai ishte në gjendje të udhëtonte lirshëm nëpër botë dhe të bënte biznes.