Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula ka deklaruar se oligarkët dhe hajdutët me kollare të institucioneve shtetërore janë në aksion për të zhvatur sa më shumë nga xhepat e qytetarëve.
Ai vë në dukje faktin se Shqipëria është më e shtrenjtë se Italia.
“Sot, në Itali një litër naftë në pikat e shitjes me pakicë kushton 1.83 euro. Pra vendet e BE janë kthyer thuajse në nivelin e çmimeve të karburantit të para luftës në Ukrainë.
Por e njëjta gjë nuk ndodh në Shqipëri. Bordet e krijuara nga qeveria, thjesht po legjitimojnë boshatisjen e xhepave të qytetarëve. Sot në Shqipëri në pikat e shitjes me pakicë një litër naftë kushton mbi 2300 lekë të vjetët”, shkruan ai.
Sula shprehet se kryeministri “bën sikur nuk e vëren këtë vjedhje që u bëhet qytetarëve”, pasi sipas tij “ai ka mbi 20 vite që nuk e fut dorën në xhep për shpenzimet e tija”
Reagimi i plotë:
Shqipëria më e shtrenjtë se Italia!
Temperaturat e nxehta të verës e ulin vigjilencën e qytetarëve në padrejtësitë që ndodhin në vend. Por teksa qytetarët synojnë të pushojnë pak ketë kohë, oligarkët dhe hajdutët me kollare të institucioneve shtetërore janë në aksion për të zhvatur sa më shumë nga xhepat e qytetarëve.
Sot, në Itali, në një nga vendet me ekonomi të fortë të Bashkimit Evropian, një litër naftë në pikat e shitjes me pakicë kushton 1.83 euro. Pra vendet e BE janë kthyer thuajse në nivelin e çmimeve të karburantit të para luftës në Ukrainë.
Por e njëjta gjë nuk ndodh në Shqipëri. Bordet e krijuara nga qeveria, thjesht po legjitimojnë boshatisjen e xhepave të qytetarëve. Sot në Shqipëri në pikat e shitjes me pakicë një litër naftë kushton mbi 2300 lekë të vjetët. Dallimin të dashur qytetarë e bëni vet. Pak ditë më parë ishte policia e cila më konfirmoi një denoncim që bëra për dyshimet për kontrabandën e naftës. Kur statistikat për kapjen e trafikut të lëndëve narkotike flasin për raport 1 në 10, për kontrabandën është më e lartë. Kur policia kapi dhjetëra mijëra litra naft kontrabandë do të thotë që në pikat e doganave, futja e naftës duke iu shmangur detyrimeve shtetërore është bërë “baltë”. Ndërkohë besoj e keni vën re që emigrantët e thjeshtë nuk kalojnë dot në doganë as bulmet e jo më mallra me vlera marramendëse. Kjo bëhet vetëm me bekimin e zyrtarucëve.
Sakaq Kryeministri bën sikur nuk e vëren këtë vjedhje që u bëhet qytetarëve sepse ai ka mbi 20 vite që nuk e fut dorën në xhep për shpenzimet e tija. E sigurt është që ai as nuk e di se me çfarë lënde djegëse punon automjeti me të cilën lëviz. Sepse automjeti furnizohet me paratë e taksapaguesve shqiptarë.