Shtrenjtimi i çmimeve në bare dhe restorante ka ndikuar te ulja e konsumit për këto struktura.
Përfaqësuesit e shoqatave të bizneseve prodhuese dhe të shërbimit pohojnë se në bare dhe restorante këtë vit po konsumohet më pak kafe, ushqim dhe birra.
Përfaqësuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahaj tha për Monitor se aktualisht në Tiranë dhe në bregdetin e jugut konsumi është ulur deri në 40%.
Jahaj thekson se rritja e çmimeve deri 50% më shumë se vjet ka ardhur nga shtrenjtimi i produkteve ushqimore dhe kostoja për gjetjen e fuqisë punëtore mbeten arsye kryesore të rënies së konsumit.
“Në zonat bregdetare konsumi është mbi 40% më pak, ndërsa në Tiranë është 20 deri 30% më i ulët se 2021. Buxheti familjar është tkurrur, për këtë arsye shpenzohet më pak në bare dhe restorante. Ndërkohë në bare dhe restorante çmimet janë rritur nga 10 deri 50% për shkak të shtrenjtimit të produkteve kryesore të shportës, siç është mielli, vaji, vezët, bulmeti dhe mishi. Rritja e çmimeve për këto produkte është mbi 20%, ndërsa për produktet e luksit rritja është më e ulët.
Arsyeja kryesore e rritjes së çmimeve në bare dhe restorante është mungesa e fuqisë punëtore dhe çmimit të lartë të energjisë elektrike. Për gjetjen e punëtorëve sipërmarrjet kanë shtuar kostot, pasi kanë rritur rrogat në nivele të larta, por u garantojnë punonjësve edhe strehimin, fjetjen që gjithashtu janë kosto”, shton ai.
Jahaj ngre shqetësimin se një valë e dytë e rritjes së çmimeve që nis nga muaji shtator që do të sjellë falimentimin e shumë strukturave të shërbimit.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave për periudhën janar-prill importi i kafes është 11% më pak se 2022.
Rënie të konsumit në zonat bregdetare ka shënuar edhe birra vendase. Konsumi për këtë produkt shfaqet me rënie deri 15% më pak se vjet sipas Kryetarit të Shoqatës së Prodhuesve të Birrës, Stefan Pinguli. Shkaqet kryesore të tkurrjes së prodhimit janë çmimet e larta, pamundësia e kompanive të birrës për të investuar në teknologji dhe mungesa e masave lehtësuese fiskale nga qeverisa, si dhe emigracioni i popullsisë dhe mungesa e turistëve. “Në Vlorë konsumi i birrës është 40% më pak se vjet për shkak të emigracionit dhe mosardhjes së emigrantëve”, thotë ai.
Sipas të dhënave të Doganave për 2021 prodhimi ishte 7,5% më shumë se 2020, por 7,6% më pak se 2019. Importet e birrës për muajt janar-prill 2022 janë rritur 13% krahasuar me 2021. Rreth 54% të konsumit të birrës në vend për 2021 e zunë importet, ndërsa 46% ishte nga prodhimi vendas. /Monitor.al/