Një mesazh në telefonin e Drejtoreshës së Operatorit të Kujdesit Shëndetësorë në Shkodër duket se ka qenë shpëtimi i Suida Kukës nga shpërthimi i mundshëm. Burime pranë policisë së Shkodrës bëjnë me dije se Suida Kuka, ka marrë një mesazh në telefonin e saj, nga një numër i panjohur ku është njoftuar për lëndën plasëse në mjetin e saj.
Në dëshminë e saj në policinë e Shkodrës, Suida Kuka ka deklaruar se nuk e njihte atë numër, ndërkohe që pikërisht në këtë moment policia e Shkodrës dhe prokuroria po hetojnë edhe në lidhje me tabulatet telefonike dhe po kërkohet gjurmimi i numrit që dërgoi mesazhin.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në të gjithë lagjen “Vojo Kushi” për të parë lëvizjet e dyshimta dhe personin me motor që dyshohet se ka vendosur lëndën eksplozive.
Ende nuk ka një pistë hetimi nga ana e policisë së Shkodrës megjithatë, ajo çfarë bëjnë më dije burimet mësohet se po hetohet në lidhje me pozicionin e punës së Drejtoreshës Kuka.
Tashmë është konfirmuar se rreth 200 gramë eksploziv është vendosur pranë mjetit të Kukës, ndërkohë që ekspertët bëjnë me dije se lënda eksplozive ka qenë me telekomandim.