Detaje të reja janë zbuluar nga News24 nga ngjarja e një dite më parë kur një polak i moshuar vuri në alarm të dy policitë në Sarandë, të Rendit dhe atë Kufitare, pasi ishte denoncuar i zhdukur në det.
Sipas shoqërueses së grupit të turistëve polakë, 29-vjeçares me inicialet D.R., i moshuari Zbibniw Kaczorowski, 74 vjeç, kishte veshur një palë këmbëza noti dhe rreth orës 10:30 të paradites së të hënës u hodh në det në Ksamil duke u shprehur: “Do shkoj për një kafe në Korfuz”.
Veprimi ndodhi rreth orës 10:30 të paradites të së hënës dhe denoncimi në polici u bë në orën 20:00 kur u konstatua se i moshuari nuk po kthehej. Menjëherë dy Komisariatet e Sarandës u vunë në alarm dhe nisën kërkimet nga deti dhe toka. Pas disa orësh kërkimi polaku 74-vjeçar Zbibniw Kaczorowski, u gjet i vetmuar në plazhin përballë ishullit Tongo, ose siç e quajnë ndryshe vendasit këtu “ Ishulli i Francezit”.
U gjet i ulur në rërë dhe i rraskapitur. Mesa duket “piloti i detit” kishte ngatërruar rrugë, duke kryer rreth 7.5 milje detare me not e duke ngelur sërish në tokën shqiptare, pra pak milje më shumë se distanca detare Ksamil-Korfuz, e nuk arriti dot ta pinte kafen aventure edhe pse përshkoi 7.5 milje me not. Falë ndihmës që iu dha nga forcat policore të Sarandës ai sot është në jetë.