Andrea Fuentes parandaloi një tragjedi në kampionatin botëror të notit në Budapest të mërkurën.
Fuentes, fitues 4 herë e medaljes olimpike në notin e sinkronizuar për Spanjën, u hodh në pishinë për të shpëtuar notaren amerikane Anita Alvarez, kur ajo humbi ndjenjat në ujë.
Alvarez, fituese dy herë e medaljes olimpike, nuk po reagonte dhe u zhyt brenda në pishinë. Në këtë moment, trajnerja vrapoi për ta ndihmuar duke u hedhur në pishinë, pa hezituar.
USA Artistic Swimming njoftoi se 25-vjeçarja është në gjendje të mirë shëndetësore.
Gjithashtu lajmin e konfirmoi edhe Fuentes ku gjatë një interviste u shpreh: “Anita është shumë mirë. Ishte e frikshme ajo që ndodhi, të jem e sinqertë. U hodha në ujë pasi pashë se askush nuk po shkonte ta shpëtonte. U tremba pak sepse ajo nuk merrte frymë, por tani është mirë, duhet të pushojë.”