Kryeministri Edi Rama mori pjesë në panairin e makinave në Shqipëri, ku shprehu ambicien që në një të ardhme në vendin tonë të zhvillohet edhe një garë e Formula 1.
Rama deklaroi se autoparku i madh i Elbasanit, që po zhvillohet në një sipërfaqe shumë të madhe do të ketë parametra të pistave të Formula 1, pasi projekti është bërë nga FIA.
“Ne do vazhdojmë me këmbëngulje punën për autoparkun e madh të Elbasani dhe ku shpresojmë që ëndrra për të parë deri edhe një garë të Formula 1, jo në një të ardhmen e afërt, por në një të ardhme të arritshme, na frymëzon dhe na jep besim që të shkojmë përpara. Askujt nuk ja kishte marrë mendja se do kishim në Tiranë një finale evropiane në futboll dhe e patëm.
Nuk kemi pse të trembemi nga një ëndërr tjetër si ajo e sjelljes së garave automobilistike në Shqipëri deri tek ajo e garës së Formulës 1 në një pistë që do ti këtë parametrat dhe është një projekti i bërë nga FIA, federata e formulës 1”.
Kryeministri nuk kurseu as batutat me Blendi Gonxhen, Drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
“Unë dua të falënderoj në radhë të parë, Edonën, ministren tonë të shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, e cila mori përsipër këtë nismë dhe së bashku me Blendi Gonxhen, drejtorin e DRPRTSHR-së, nuk ja mësova asnjëherë këto inicialet. Po ç’rëndësi ka rëndësi ka që të gjithë e dinë për kë drejtori e kam fjalën. Ato shumë “rrrrr” janë si ato lëvizjet e makinës kur ndihet “rrrr”.
Shijojeni këtë aktivitet që u bë falë ministres tonë dhe falë Blendi Gonxhen i cili duket se ka lindur gabimisht mbi dy këmbë se duhet të kishte lindur mbi katër rrota”, tha Rama.