Ish-zv.kryeministri Erion Braçe ka komentuar kërkesën e Presidentit të FSHF-së Armando Duka për të rikthyer bastet sportive.
Ai vuri duart në kokë, duke e konsideruar një kërkesë absurde në një kohë kur FSHF është e vetmja Federatë në Europë e dënuar për fiksim rezultati. Në një studio televizive, Braçe i referohet vendimit të marrë nga UEFA për përjashtimin e Skënderbeut për 10 vite nga kompeticionet europiane, pasi akuzohet për fiksimin e mbi 50 ndeshjeve.
Deputeti i Partisë Socialiste ngriti pyetjen retorike nëse FSHF do të bëjë sport apo të luajë baste. Ndërsa shtoi se kohë më parë brenda FSHF janë luajtur baste.
“A e kuptoni në ç’pikë jemi? Presidenti i FSHF, e vetmja federatë në Europë që ka një vendim në fuqi nga të gjitha shkallët hierarkike nga organizmat ndërkombëtar të futbollit dhe gjykata sportive për fiksim të rezultateve sportive, në favor të basteve sportive në të gjithë Europën. Ky kërkon rikthim të basteve në këtë vend. Ky që vetëm katër vite më parë mori një vendim për shkak të rezultateve të trukuara në futboll për nevojat e basteve, del e kërkon që të rikthehen bastet në këtë vend.
Ca t’iu them unë, që një pjesë aty brenda FSHF kanë luajtur baste në kohë të ndryshme. E thonë aktorë të ndryshme. Janë të përfshirë në këtë, janë të shkruara. Këta duan të bëjnë sport apo baste. Se keqmenaxhon FSHF, ekonominë e futbollit dhe nuk bëjnë dot ekonomi, kjo nuk dot të thotë që të rikthejmë ligjërisht. Se në të zezë ka plot, këtu luhet në të zezë. Mungesë vëmendje e të gjitha agjencive ligjzbatuese për të.
Ish-zëvendëskryeministri Braçe theksoi se është kundër rikthimit të tyre, ndërsa shtoi se autoritete duhet të marrin masa për të goditur bastet që po luhen në mënyrë të paligjshme, nga të njëjtët kriminelë që i kanë pasur pika fizike më parë.
“Në momentin që ne morëm vendim t’i shpallim të paligjshme kërkuan nga AKEP të merreshin me goditjen e fenomenit. Ky që kërkon ligjërimin e tyre, jam kundër, të marrë ca të dojë vendimi i PS unë nuk e votoj. Po pastrohen para përmes basteve në të zezë, siç pastroheshin legalisht po pastrohen tani që u kanë të njëjtat figura kriminale. Turp neveri që e vetmja në Europë që ka një vend ne fuqi për fiksim të rezultateve sportive”, tha Braçe.