Prej 4 vitesh, Franci dhe Rezarta gëzojnë një martesë të lumtur, të bekuar me një djalë. Duket se fati ishte paracaktuar që të dy të ishin bashkë, edhe pse njohja e tyre ndodhi me metodat e kohës moderne, nëpërmjet rrjeteve sociale. Por siç lë të kuptohet Franci me historinë që rrëfen në “Ka Një Mesazh Për Ty” dashuria nis nga gjërat e vogla, si lirshmëria në biseda.
Franci: Ishte 2017, 26 Janar, 5 ditë pas datëlindjes së Rezartës. Shoh një ftesë në Facebook, shikoj një vajzë simpatike me syze, buzët, sytë. E pranoj dhe i shkruaj “më fal, njihemi gjë?”, tha “jo, s’njihemi, nëse të bezdis largohem”, “jo, jo, s’ka problem, vazhdojmë”.
Ardit Gjebrea: Ato syçkat dhe buzët kishin efektin.
Franci: Gjithmonë e ngacmoja, “i ke të tuat apo i ke të bëra?” Dalëngadalë flisnim, përshëndeteshim, pastaj filluam të zgjatej muhabeti, të bëhej pak më interesante, sikur ndiheshim mirë, natyrshëm çdo gjë kur shkruanim me njëri-tjetrin, pastaj kështu vazhdoi, me kamera.
Ardit Gjebrea: Kur të doli në kamera për herë të parë?
Franci: E prisja… ishte pak ndryshe, më e lezetshme më dukej pas gjithë asaj kohe që flisja, më pëlqente akoma më shumë. Kështu vazhduam pastaj gjithë kohës. Unë punoja shumë, vetëm ndonjë 5 minutësh që ndaloja të pija ndonjë kafe.
Ardit Gjebrea: Rezarta ku jetonte?
Franci: Jetonte në Itali. Pas ca kohësh vendos që kur do vinte vjehrra ime e ardhshme, do vinte në Gusht, Rezarta nuk mundi dot sepse ishte në punë.
Ardit Gjebrea: Dhe dërgoi mamin përpara?
Franci: Po, mami do vinte që do vinte dhe e lamë që në fillim të takoja vjehrrën.
Ardit Gjebrea: Cili ishte momenti që ju vendosët të jetonit bashkë?
Franci: Pasi flisnim më shumë akoma, pasi shihnim mundësitë e mia që këtu në Shqipëri, edhe pse punoja fort, nuk ia dilja dot. Ishte periudhë që ishim pak dobët ekonomikisht, nuk arrinim të bënim dot dy lekë bashkë dhe nuk kisha mundësi të bëja diçka për martesën sepse jo se po vdisnim për bukë, por nuk ishte mundësia për të krijuar një familje ose të vinte ajo nga Italia, të krijonim familje këtu. Pasi folëm, erdhi Rezarta në janar, folëm që do martoheshim…
Ardit Gjebrea: Bëtë dasmë?
Franci: Jo, për këtë kam ardhur këtë që e kam peng.
Ardit Gjebrea: E ke peng këtë?
Franci: E kam peng dhe për këtë zgjodha programin sot që t’i bëj një surprizë, t’i jap një mesazh dhe ta falënderoj.
Edhe pse nuk është aspak natyrë romantike, Franci sot dëshiron t’i japë çfarë nuk ka mundur dot bashkëshortes së tij. Madje, në një moment, kur gjendja ekonomike e tij nuk ishte ende e mirë, kujton një sakrificë kur është përpjekur ta kënaqë sadopak Rezartën.
Franci: Nuk është se kisha shumë t’i ofroja, ta nxirrja, madje mami shiti edhe një unazë timen, me flori të bardhë që kam pasur dikur, diku te 70 mijë Lekë për ta nxjerrë për darkë dhe për t’i bërë një dhuratë modeste.
Ardit Gjebrea: Ah, ku e kemi atë unazën, ta kishim gjetur, ta kishim prapë.
Mamaja e Francit: Do kemi gjëra më të bukura në jetë.
Ardit Gjebrea: Të dhembi ajo unazë kur e shite?
Mamaja e Francit: Më dhembi, por edhe u gëzova shumë, shumë sepse ne kaluam një fatkeqësi të vogël, jo jetë njeriu, por një gjë tjetër që ishim shumë të mërzitur dhe Rezarta na ka ardhur në kohën dhe momentin më të bukur dhe të vështirë të jetës tonë./tvklan.al