Policia nuk ka ende asnjë pistë apo dyshim në lidhje me vrasjen me thikë të Petrak Gjikës gjatë natës së sotme në fshatin Grecalli të Fierit. Ai ishte roje në disa serra në fshat dhe u gjet i vdekur me disa goditje thike sot në mëngjes.
Ngjarja është e mbështjellë me mister, ndërkohë që policia ka vetëm pak të dhëna në lidhje me vrasësin apo vrasësit. Paraprakisht, dyshohet se personi që ka goditur Gjikën me thikë është larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes, ndërsa nuk dihen motivet që mund ta kenë çuar atë drejt një ngjarjeje të tillë.
Mbetet për t’u verifikuar nëse vrasja e Gjikës erdhi për shkak të një konflikti të çastit apo për shkaqe të tjera që mund të lidhen me ndonjë aktivitet të paligjshëm.
Fakt është se 67-vjeçari ishte goditur me thikë edhe katër vite më parë në lokalin e fshatit teksa ishte duke pirë kafe aty. Policia po verifikon edhe në lidhje me këtë ngjarje nëse ato kanë të bëjnë apo me njëra-tjetrën.