Presidenti Ilir Meta tha në emisionin “Open” në News24, dekretin e tij për lirimin nga detyra të Bajram Begajt si shef i Shtabit të Përgjithshëm.
Presidenti Meta tha se nuk ka pasur komunikim me kreun e PD, Sali Berisha, për këtë vendim, por theksoi se ka komunikuar me Tritan Shehun dhe përfaqësues të tjerë të PD.
Pyetje: Edhe Berisha u ndje i surprizuar, pse u bëtë kaq shpejt pjesë e kësaj gjëje. Keni pasur komunikim me Berishën?
Meta: Nuk kam pasur komunikim. Kam komunikuar me Tritan Shehun, ndoshta dhe me përfaqësues të tjerë, sepse ka pasur një debat jo neni kaq, jo neni aq, por nuk ka qenë e nevojshme dhe e domosdoshme. Nuk ka problem ku firmosa, unë mund të firmos edhe tani këtu. Çfarë toke është në Stamboll? Presidenti firmos kudo. Ndërsa në Kuvend nuk i kam dhënë asnjë votë, sepse nuk kam asnjë votë. Unë nuk kam jam bërë pengesë për asnjë, edhe për Ahmetajn si ministër i Rindërtimit e kam bërë për një minutë. Në momentin që më vjen një shkresë që të lirohet një figurë, që t’i hiqet një pengesë për të kandiduar, unë nuk kam pse bëhem pengesë.
Pyetje: Do jetë President i njëanshëm Begaj?
Meta: Unë e kam dekretuar për Shef Shtabi, sepse kam parë disa parametra pozitivë dhe të kohës, sepse ishte dhe situata e pandemisë dhe ai kishte formim në fushën e shëndetit dhe mjekësisë. Ka qenë një figurë shumë e pranueshme për atë sfidë, ndërsa tani ta shohim. Unë uroj që të jetë një President i shkëlqyer. I uroj suksese. Kaq mund të them, se nuk kam asnjë arsye për të thënë diçka tjetër. Nuk ekziston asnjë lidhje me Dvoranin, se kam dëgjuar 700 variante. Të mos harrojmë se nga mbrëmja që u bë kandidatura e deri te nënshkrimi, gjithë debati ishte nëse do ta firmosja. Pse Presidenti duhet të bëhet pjesë e një debati të tillë, kur çëshja ka qenë shumë e qartë.
Pyetje: A u kap Presidenca me Begajn?
Meta: Pushtetet janë kapur me kohë, edhe sot që unë jam President, ky është një shtet i kapur. Presidentit nuk i përgjigjen për çështje shumë të rëndësishme, që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare, me plotësimin e institucioneve të drejtësisë, etj.