Njerëzit nuk janë dhe aq të aftë që të përballen me rritjen e temperaturave globale, ka thënë një ekspert i fosileve.
Prof. Steve Brusatte, një paleontolog në Universitetin e Edinburgut, sugjeroi se mënyra në të cilën gjitarët e tjerë i janë përgjigjur më parë periudhave të ndryshimeve klimatike mund të ofrojë një pasqyrë për të ardhmen e njerëzve, raporton Guardian.
Kriza klimatike mund të bëjë që racën njerëzore të zvogëlohet në madhësi. Ai e krahasoi gjendjen e mundshme të njerëzve si të ngjashme me atë të kuajve të hershëm, të cilët u bënë më të vegjël në përmasa trupore teksa temperaturat u rritën rreth 55 milionë vjet më parë.
Brusatte vëren se kafshët në pjesët më të ngrohta të botës sot janë shpesh më të vogla se ato në zonat më të ftohta, një parim ekologjik i njohur si rregulli i Bergmannit. “Arsyet nuk kuptohen plotësisht, por ndoshta është pjesërisht, sepse kafshët më të vogla kanë një sipërfaqe më të madhe në krahasim me vëllimin e tyre sesa kafshët më të mëdha dhe kështu mund ta heqin më mirë nxehtësinë e tepërt,” shkruan ai.
Brusatte argumentoi se speciet e tjera njerëzore janë tkurrur kur burimet ishin të pakta – duke treguar për të ashtuquajturit njerëz hobbit, Homo floresiensis, që banonin dikur në ishullin Flores në Indonezi (ishin vetëm rreth 1 metër të gjatë).
Në një studim të fundit, studiuesit që analizojnë mbetjet njerëzore gjatë miliona viteve kanë sugjeruar gjithashtu se temperatura është një parashikues kryesor i ndryshimit të madhësisë së trupit.anabel